Njoftim për fillimin e konkurrimit me projekte kinematografike në dy kategori

Të nderuar kineastë, producentë e administratorë të shtëpive kinematografike,

Qendra Kombëtare e Kinematografisë shpall njoftimin për konkurrim me projekte kinematografike në këto kategori:
(a) filma me metrazh të gjatë vepër e parë dhe e dytë;
(b) zhvillim projektesh për filma me metrazh të gjatë.

Paraqitja e dokumentacionit për aplikim, prej producentëve, duhet të realizohet, njëkohësisht, në këto dy mënyra:
(i) Dokumentacion i ruajtur në skedarë elektronikë të dërgohet në adresën e-mail info@qkk.gov.al, nëpërmjet platformave «file sharing», që janë përcaktuar në «Rregulloren e përgjithshme të mbështetjes financiare dhe lejeve» me №60 prot., datë 27.01.2025;
(ii) Dokumentacion origjinal dhe/ose i njësuar me origjinalin të dorëzohet pranë zyrës së arkivës dhe protokollit të QKK-së.

Producentët duhet të jenë të regjistruar në QKK për vitin 2025, përpara se të aplikojnë.

Afati i aplikimeve përfundon më datë 28 shkurt 2025, ora 14:00.

Përpara se të aplikoni, konsultoni me kujdes kriteret dhe rregullat të konkurrimit, të parashikuara në «Rregulloren e përgjithshme të mbështetjes financiare dhe lejeve», e cila gjendet në URL-në: https://qkk.al/index.php/rregulloret-e-qkk/rregullore-e-pergjithshme-e-mbeshtetjes-financiare-dhe-lejeve/

Dokumentacioni, për secilën nga kategoritë për konkurrim, gjendet në URL-në: https://qkk.al/index.php/formulare-aplikimi-2024/.

Duke ju falenderuar, paraprakisht, për bashkëpunimin Tuaj,

Me respekt,

KRYETARI
EOL ÇASHKU

Kalendari i thirrjeve për projekte i vitit 2025

Janar 2025 ― Thirrje për Projekte Filmash me Metrazh të Gjatë Vepër e parë dhe e dytë / Zhvillim Projektesh për Filma me Metrazh të Gjatë

Shkurt 2025 ― Thirrje për Projekte Festivalesh Filmi / Thirrje për Projekte për Vepra Audiovizuale / Thirrje për Projekte të ndryshme kinematografike

Mars 2025 ― Thirrje për Projekte Filmash Artistikë me Metrazh të Gjatë / Projekte për Filma me Metrazh të Shkurtër

Prill 2025 ― Projekte për Koproduksione në Pakicë (minority) / Projekte për Filma të Animuar / Projekte për Promovimin e Kinematografisë Shqiptare jashtë dhe brenda vendit

Maj 2025 ― Projekte për Postproduksion & Distribucion / Projekte për Filma Dokumentarë

QKK, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të EFAD

Kryetari i QKK-së, Z. Eol Çashku dhe Drejtorja e Drejtorisë së Projekteve, Znj. Grejs Gjergji, më datë 11 dhjetor 2024, morën pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të EFAD-it (Organizata Evropiane e Drejtuesve të Agjencive të Filmit) që u mbajt në Bruksel.

Përfaqësuesit e QKK u përfshinë në grupe pune të EFAD. Grupi: Edukimi Kinematografik, Grupi: Financimi i filmit si mbrojtës i lirisë së krijimtarisë ndaj ndërhyrjeve politike, Grupi: Detyrimet Financiare të VoD.

Në këtë takim morën pjesë rreth 40 delegatë nga 25 organizata anëtare.

Mbledhja u zhvillua mbi bazën e një platforme dinamike ku u diskutua mbi çështje kritike strategjike me të cilat përballen institucionet e kinematografisë dhe sektori audioviziv më gjerësisht.

Rendi i ditës përmbante dy sesione të veçanta me dy tema kryesore për diskutim:

1. “EFAD Looking Forward: Vision for 2030” – Një sesion që hulumtoi sprovat e së ardhmes dhe drejtimet strategjike për EFAD-in.

2. “Trajtimi i çështjeve aktuale” – Në këtë sesion u trajtuan një gamë e gjerë temash, që përfshinë:
o Aplikime praktike të IA-së për agjencitë filmike;
o Rëndësia e edukimit përmes filmit;
o Ruajtja e financimit të filmit si mbrojtës i lirive kundrejt ndërhyrjeve politike;
o Detyrimet financiare të platformave VoD;
o Ruajtja e pronësisë intelektuale dhe roli i producentëve të pavarur.

Kjersti Mo, Zëvendës President i EFAD-it, theksoi vlerën e shkëmbimeve të tilla bashkëpunuese, duke thënë: “Ky takim interaktiv dhe pjesëmarrës tregoi edhe një herë se EFAD ofron një platformë unike për shkëmbimin e praktikave më të mira për financimin e filmit dhe adresimin e politikave në bazë të sfidave kryesore me të cilat përballemi. Energjitë tona çlirohen kur bëhemi bashkë dhe mësojmë nga iniciativat dhe pikëpamjet e njëri-tjetrit. Diçka e tillë është e një rëndësie vendimtare për të gjetur frymëzim dhe zgjidhje të përbashkëta për të ardhmen.”

Presidenti i EFAD-it, Chris Marcich, theksoi më tej angazhimin e organizatës për promovimin e larmisë kulturore në nivel evropian. Ai nënvizoi rolin kryesor të EFAD-it në mbështetjen dhe nxitjen e politikave që mbrojnë dhe promovojnë krijimin audiovizual evropian dhe vendor kundër presioneve nga interesat jo-evropiane. “EFAD mbetet i palëkundur në mbështetjen e anëtarëve të tij dhe qeverive përkatëse në përballimin e përpjekjeve që lidhen me cënimin e dispozitave ekzistuese të cilat mbështesin larminë kulturore dhe ekosistemin audiovizual evropian.”

Themeluar zyrtarisht sipas ligjit belg në dhjetor 2014, organizata po i afrohet 10 vjetorit të saj dhe EFAD pret me padurim të festojë këtë moment historik të rëndësishëm. Planet, tashmë, janë
duke u zhvilluar për një ngjarje të veçantë për këtë përvjetor, që do të zhvillohet gjatë Festivalit të Filmit në Kanë në vitin e ardhshëm 2025.



© Erlend Štaub, EFAD



© Erlend Štaub, EFAD



© Erlend Štaub, EFAD



© QKK



© QKK



© QKK

Njoftim për shtyrjen e afatit të konkursit për projekte kinematografike & audiovizuale

Për shkak të pushimit zyrtar, me rastin e Festave Kombëtare të muajit Nëntor, afati i thirrjes për aplikim zgjatet deri më datë 05 Dhjetor 2024, ora 16:30, për këto kategori:
(a) projekte për film artistik me metrazh të shkurtër;
(b) projekte për film dokumentar;
(c) projekte për film të animuar;
(ç) projekte për postproduksion dhe distribucion;
(d) projekte për promovimin e kinematografisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit;
(dh) projekte të ndryshme kinematografike: botime dhe përkthime librash.

Paraqitja e dokumentacionit për aplikim, prej producentëve, duhet të realizohet, njëkohësisht, në këto dy mënyra:
(i) Dokumentacioni i ruajtur në skedarë elektronikë të dërgohet në adresën e-mail info@qkk.gov.al, nëpërmjet platformave «file sharing», që janë përcaktuar në «Rregulloren e përgjithshme të mbështetjes financiare dhe lejeve» me №168 prot., datë 27.05.2024, të ndryshuar;
(ii) Dokumentacioni origjinal dhe/ose i njësuar me origjinalin të dorëzohet pranë zyrës së arkivës dhe protokollit të QKK-së.

Përpara se të aplikoni, konsultoni me kujdes kriteret dhe rregullat të konkurrimit, të parashikuara në «Rregulloren e përgjithshme të mbështetjes financiare dhe lejeve», të ndryshuar, e cila gjendet në URL-në: https://qkk.al/index.php/rregulloret-e-qkk/rregullore-e-pergjithshme-e-mbeshtetjes-financiare-dhe-lejeve/.

Dokumentacioni, për secilën nga kategoritë për konkurrim, gjendet në URL-në: https://qkk.al/index.php/formulare-aplikimi-2024/.

Njoftimi i zgjatjes së afatit: https://qkk.al/index.php/2024/11/27/njoftim-per-shtyrjen-e-afatit-te-konkursit-per-projekte-kinematografike-audiovizuale/.