Ndahet nga jeta regjisori Piro Milkani

Me hidhëtim të thellë, i bashkohemi dhimbjes së familjes, miqve dhe kolegëve, për ndarjen nga jeta të një prej mjeshtarve të ekranit të madh shqiptar, regjisorit, skenaristit, operatorit të kameras, producentit por edhe ambasadorit të Shqipërisë, Zotit Piro Milkani.

Z. Milkani, krijoi dhe kontribuoi në kinematografinë shqiptare për mbi gjysëm shekulli. Gjithë jetën e tij, i’a dedikoi kinematografisë, audiovizualit dhe edukimit të brezave të rinj, duke lënë pas vepra cilësore e të dashura për publikun brenda e jashtë vendit, të cilat do të vazhdojnë përjetësisht të shndrisin fort në universin e kinematografisë evropiane e botërore.

Ngushëllime familjes dhe gjithë komunitetit kinematografik shqiptar!

I qoftë i lehtë dheu i vendit të tij!


Mbledhja e 76-të e Asamblesë së Përgjithshme të European Film Promotion (EFP)

Gjatë Asamblesë së 76-të të Përgjithshme të European Film Promotion (EFP), mbajtur në kuadër të edicionit të 78-të të Festivalit të Filmit në Kanë, u raportua mbi mbarëvajtjen e programeve të ndryshme të EFP-së, si Producers on the Move, European Shooting Stars, dhe nismave të tjera të promovimit të filmit evropian.

Ndër të tjera, u reflektua mbi mënyrat se si EFP-ja mund të mbrojë vlerat si përfshirja, mirëkuptimi, humaniteti dhe liria artistike, në një kontekst gjithnjë e më të vështirë gjeopolitik që ka prekur ndjeshëm edhe industritë dhe komunitetet e filmit.

Poashtu u përzgjodh dhe votua edhe përbërja e re e bordit të drejtorëve të EFP-së.


Njoftim për fillimin e konkurimit me projekte kinematografike në 3 kategori

Qendra Kombetare e Kinematografise (QKK) shpall njoftimin për konkurim me projekte kinematografike në këto kategori:
• Projekte për koproduksione në pakicë (minority);
• Projekte për filma të animuar;
• Projekte për promovimin e kinematografisë shqiptare jashtë & brenda vendit.


Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare, ikona e kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa

Me hidhërim të thellë shprehim ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistes sonë të madhe Znj.Margarita Xhepa.

Margarita Xhepa, ishte një prej figurave të mëdha që i përkisnin plejadës së artë të skenës teatrale dhe kinematografisë shqiptare, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e publikut shqiptar me role të shkëlqyer që prej fillimit të saj, në vitet ’60-të të shekullit të kaluar e deri më sot.

Aktorja mbylli sytë pasi festoi ditëlindjen e saj ditën e djeshme, më 2 prill 2025.

Ajo u lind më 2 prill 1934, në Lushnjë, nga ku filloi edhe rrugëtimin e saj të gjatë e të suksesshëm në skenë dhe në ekran.

Mbresëlënës ishte ringjitja e saj në skenën e Teatrit Kombëtar, në maj 2004, me dramën “Streha e të harruarve”. Ky rikthim shënoi një tjetër arritje në repertorin e saj të pasur me role të ndryshëm.
Qysh prej fillimeve të krijimtarisë së saj artistike, në vitin 1950, merrte pjesë në shfaqjet që viheshin në skenën e Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe në të njëjtën kohë kryente studimet në degën e dramës, në Liceun Artistik,“Jordan Misja”.

Repertori i roleve të saj përmban mbi 150 role në teatër, prej të cilëve mund të përmendim: Majlindën te filmi “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina te “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja te “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë te “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna te “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj.

Nga repertori i roleve të dramaturgëve me famë botërore, ku, gjithashtu, ka njohur suksese me interpretimin e saj, mund të përmendim interpretimin në rolet e spikatura të tragjedive të Shekspirit, si, Ofelia te“Hamleti”, vajza e dytë te “Mbreti Lir”, Dado te “Romeo e Zhuljeta”, Mbretëresha Margaret te “Rikardi III”.

Nga rolet e tjera të realizuara nga dramaturgjia botërore mund të veçojmë: Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e Inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një Komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i Kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), Shejla tek “Morali i Zonjës Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.

I pasur është edhe repertori i roleve të realizuar në ekranin e madh të kinemasë, me plot 32 role.Pjesa më e madhe e tyre janë relizuar duke punuar me regjisorë shqiptarë, ndër të cilët mund të përmendim:
“Vitet e para” dhe “Gjurmët” me Kristaq Dhamon;
“Dimri i fundit”, “Tokë e Përgjakur,” “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Ibrahim Muçajn e Kristaq Mitron;
“Gjeneral gramafoni” me Viktor Gjikën, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” me Esat Musliun, “Dora e ngrohtë”me Kujtim Çashkun, “Gurët e shtëpisë sime”me Dhimitër Anagnostin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me Piro Milkanin, “Koncert në vitin 1936”, me Saimir Kumbaron, “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”, me Gjergj Xhuvanin.

Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u nderua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepës, iu dha Çmimi i Nderit.

1. “Bolero në vilën e pleqve” – (2021) Firdus
2. “Në kërkim të kujt” (2011), serial
3. “Tingulli i heshtjes” (2010) telenovela
4. “Kronikë provincial” (2009)
5. “Ne dhe Lenini” (2008) – Beti
6. “I dashur armik” (2004) – Nëna e Harunit
7. “Mirupafshim” (1997)
8. “E diela e fundit” (1993)
9. “Një djalë edhe një vajzë” (1990) – Mësuese Kristina
10. “Vitet e pritjes” (1990) – Nëna e Helenës
11. “Kush e solli Doruntinën” (1989) Nëna e Kostandinit dhe Doruntinës
12. “Pesha e kohës” (1988) – Gruaja e Kryetarit
13. “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988) Nëna e Irenës
14. “Misioni përtej detit” (1988) – Kristulla
15. “Rrethi i kujtesës” (1987) – Tefta
16. “Fillim i vështirë” (1986) Shoqja e Zanës
17. “Gabimi” (1986) – Mësuesja
18. “Gurët e shtëpisë sime” (1985) – Gruaja e Fane Mërtirit
19. “Militanti” (1984) – Nëna e Visar Shundos
20. “Apasionata” (1983) – Nëna e Arturit
21. “Dora e ngrohtë” (1983) – Nëna e Besimit
22. “Shokët” (1982) – Nëna e Gencit
23. “Dita e parë e emërimit” (1981) – Drita
24. “Me hapin e shokëve” (1979) (TV) – Mamaja e Gonit
25. “Dollia e dasmës sime” (1978) – Nëna e Belës
26. “Gjeneral gramafoni” (1978) – Zonja e Prefektit
27. “Koncert në vitin 1936” (1978) – Eleni Jankollari
28. “Dimri i fundit” (1976) – Shano
29. “Pylli i lirisë” (1976) – Nënë Katja
30. “Tokë e përgjakur” (1976) – Sandra
31. “Gjurma” (1970) – Violeta
32. “Vitet e para” (1966) – Zyraka