Deutsche Welle – “Vergine Giurata” Shqipëria dhe Kosova në Berlinalen 2015

Kanuni “frymëzon” – Shqipëria dhe Kosova në Berlinalen 2015

Edhe pse “Vergine Giurata” doli pa çmim nga Berlinalja e 65-të (05-15.02.2015), ky bashkëprodhim i futi për herë të parë Shqipërinë dhe Kosovën si pjesëmarrëse në garën zyrtare të Berlinales.

Skenë nga filmi “Vergine Giurata”

Ka ndonjë film shqiptar në Berlinale? Më pyet burri i ulur bri meje në sallën e “Berlinale Palast” para se të fillojë premiera botërore (12.02.2015)e “Vergine Giurata” (titulli në shqip: Burrnesha). Heinz Badewitz, hemelues i njërit prej festivaleve më të vlerësuar në Gjermani (“International Filmfestival Hof”) ka pak të drejtë, se “Vergine Giurata” është në fakt film italian. Kontributet e Shqipërisë (me anë të Studios Erafilm) dhe të Kosovës (nëpërmjet Qendrës Kinematografike të Kosovës) janë “minoritare”, siç quhet në zhargon, pas atyre të Italisë, Gjermanisë dhe Zvicrës. Por mjaftojnë për t’i konsideruar vendet zyrtarisht pjesëmarrëse në Berlinale. Prandaj unë i them: Filmi që do të shikoni tani.
Në ekran në atë moment shfaqen pamje nga tapeti i kuq: Ilire Çelaj është duke dhënë disa deklarata për televizionet shqiptare. Pas pak vijnë të tjerët: Fjonja Kodheli, Bruno Shllaku, Luan Jaha, por vëmendja e kamerave përqendrohet natyrisht te ylli i mbrëmjes, Alba Rohrwacher, (fituese e Coppa Volpi, Venecie 2014) dhe Lars Eidinger. Aktori më i preferuar i teatrove berlineze ka vënë një karficë vajzërore te flokët si për tërhequr vëmendjen për konstruktin social të identitetit gjinor, për çfarë bën fjalë “Vergine giurata”. Pastaj hyjnë në sallë ku priten me duartrokitje nga afro 1800 shikuesit dhe pas pak shuhen dritat dhe sundon heshtja e zakonshme derisa në pëlhurën e bardhë shfaqen shkronjat e para.
Identitet i dyzuar
Borë në një terren malor. Disa burra përpiqen të kapin një dhi. Kafsha nuk pranon të nënshtrohet. Nuk kuptohet qartë se çfarë duan të bëjnë me të, por në fund të kësaj lufte, që duket sikur është xhiruar me kamera subjektive, njëri prej burrave ulet në gjunjë dhe e shtrëngon në gjoks kafshën e pabindur që nuk e ndrydh dot instinktin e lirisë. Është Marku (Alba Rohrwacher), që në fëmijëri quhej Hana (Drenica Seilmaj). Në këtë moment të shkurtër solidarizimi shikuesi e kupton se brenda këtij personazhi ekziston një dilemë. Pamja vijuese: Marku, ose më saktë, Hana, buzë një gremine përballë Bjeshkëve të Namuna do ta qartësojë edhe më shumë: Është ai hendek i madh mes shpirtit të lirë të njeriut dhe ngurtësisë së përjetshme të një bote arkaike. Para kësaj bote Hana është betuar dikur se do të mbetet e virgjër. Por struktura sociale që përkufizonte identitetin e saj si burrneshë është shpërbërë: As axha (Bruno Shllaku) që e ka rritur dhe i ka mësuar rolin e burrit sipas Kanunit të Malësisë, e as gruaja e tij (Ilire Çelaj) nuk jetojnë më. Dhe Marku/Hana ndjen thellë vetes tundimin për ta thyer betimin e për t’iu kthyer identitetit të mëparshëm. Për këtë ajo merr rrugën për te kushërira, Lila (Flonja Kodheli, si fëmijë: Dajana Selimaj), që tashmë jeton në Milano. Hana dhe Lila janë rritur bashkë, kanë lozur, kënduar e vrapuar me sa të mundnin nëpër gurët e thepisur të malësisë derisa t’u vinte mosha, kur t’i trajtonin si të rritura e t’u kujtonin sesa pak të drejta do të kenë si femra. Të dyja rebelohen kundër Kanunit: Lila largohet nga Shqipëria së bashku me të dashurin e saj Shtjefën (Luhan Jaha), ndërsa Hana e sfidon këtë botë mashkullore e bëhet vetë burrë.
Poezi italiane dhe bukuri arkaike
Në filmin e saj të parë me metrazh të gjatë regjisorja italiane Laura Bispuri ka zgjedhur një pishinë si skenë për rifeminizimin e Hanës. Aty ajo shkon për të shoqëruar vajzën e Lilës, Jonidën (Emily Ferratello), që bën stërvitje në not të sinkronizuar. Për Hanën, e cila e sheshon gjoksin duke e lidhur me një fashë, kjo gjysmëlakuriqësi me dhe pa muskuj, me dhe pa tatuazh përbën një ngacmim të papërballueshëm: Ajo nis një lidhje të heshtur me kujdestarin e pishinës, Bernardin (Lars Eidinger), që kulmon me përvojën e saj të parë seksuale në një banjë të pishinës. Është një film që në radhë të parë flet për ndrydhjen e seksualitetit femëror. Lura Bispuri ka arritur ta përçojë këtë histori të frymëzuar nga romani “Hana” (Sejko, 2007; titulli origjinal: “Vergine Giurata”, Feltrinelli, 2007) i autores shqiptare Elvira Dones, me një përzierje rrëqethëse ndërmjet një gjuhe kinematografike poetike që të kujton klasikët italianë dhe bukurisë së virgjër dhe arkaike natyrore dhe shpirtërore të malësisë shqiptare dhe personazheve të saj. Si e predestinuar për ta mishëruar këtë kontrast duket Alba Rohrbacher: italo-gjermanja e lindur në Firence me kurmin e brishtë dhe fytyrën prej Shën Mërie. Rohrbacher shkëlqen jo vetëm me lojën trupore – aq mashkullore duket ajo në film saqë kritikët me shaka thoshin se do të fitojë Ariun e Argjendtë për aktorin më të mirë – por edhe me një shqipe, që për nga ndjeshmëria e të folurit konkurron me shumë kolege shqiptare. Por fqinji im Heinz Badewitz, thotë se nuk do të çuditej në
se ajo do të merrte Ariun e Argjendtë si aktorja më e mirë. Por siç e kanë çmimet, atë e merr vetëm një: Ai qe rezervuar për një diva më të vjetër të kinematografisë që kishte kohë që ishte në pritje të një shpërblimi të tillë: Charlotte Rampling (“45 Hours”).
Kanuni vazhdon të frymëzojë
Krahas “Vergine Giurata” në Berlinale u shfaq për herë të parë (11.02.2015) edhe një film tjetër për burrneshat: “Hakie/Haki – ein Leben als Mann”(Hakie/Hakiu – jeta si burrë), në seksionin “Perspektive Deutsches Kino” (Perspektiva Kinematografi Gjermane). Aty portretizohet një burrneshë 71-vjeçare që përballet me mbijetesën e përditshme në terrenin e ashpër malor të bjeshkëve. Ndryshe nga Marku, që është bërë burrneshë për të sfiduar Kanunin, Hakia thotë se gjithmonë e ka parë veten si djalë, dhe ashtu e ka trajtuar edhe familja. Ndërsa për Luara Bispurin burrnesha është një metaforë për raportin e feminilitetit me botën, regjisorja e filmit dokumentar, Anabela Angelovska, sheh te burrnesha një dëshmi se sa i konstruktuar është dallimi seksual. Dy qasje që plotësojnë njëra-tjetrën duke treguar kompleksitetin dhe anët e ndryshme të një fenomeni të rrallë.

Është hera e dytë që në konkurrimin zyrtar të Berlinales shfaqet një film me temë nga kanuni. Në vitin 2011 ishte “Falja e Gjakut”, dy skenaristët e të cilit, amerikani Joshua Marston dhe shqiptari Andamion Murataj dolën nga gara me një “Ari të Argjendtë”. Pasi gjakmarrja mbisundoi për disa vite ekranet e kinemave dhe televizioneve nëpër botë, tani është fenomeni i burrneshave ai që po i bind më së shumti producentët. Në pritjen që u bë (10.02.2015) në stendën e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës në European Film Market (EFM), panairin e filmit që shoqëron tradicionalisht Berlinalen, dëgjoj së paku për tri projekte filmike me temë burrneshat. Edhe Andamion Murataj planifikon një film me këtë temë: Ai është njëri prej afro 30 kineastëve që kanë fituar këtë vit mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (Tiranë). Ilir Butka, drejtor i kësaj qendre, u kishte mundësuar shumicës së tyre që të vinin me grupe për nga tri ditë në EFM për të prezantuar projektet e tyre e për të kërkuar bashkëprodhues.

Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Tiranë.

Potenciale të pashfrytëzuara
Dhe mundësitë për financime shtesë janë të shumta: Njëri syresh është aplikimi në Fondin për Financimin e Kinemasë Evropiane, Eurimages, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota. Butka ua ka vënë si kusht kineastëve që përfitojnë nga QKK-ja që të aplikojnë edhe në Eurimages, çfarë, siç rrëfen ai, u mirëprit nga drejtori i ekzekutiv i Eurimages, Robert Olla. Por një potencial i pashfrytëzuar është ai i financimit të bashkëprodhimeve si kontributor minoritar. Kosova në këtë drejtim ka vite që ia ka kaluar Shqipërisë, falë fondit të krijuar enkas për prodhime të tilla. Këtë e ilustron më së miri “Vergine Giurata”, thotë Ilir Butka. Qendra Kinematografike e Kosovës quhet këtu bashkëprodhuese e filmit, ndërsa Shqipëria merr pjesë falë kontributit privat të Erafilm, drejtuar nga bashkëshortët Sabina Kodra dhe Robert Budina, sepse në legjislacionin shqiptar që është ende i vitit 1997, nuk ka hapësirë për financimin e projekteve minoritare. “Kontributi financiar prej 50 mijë euro është simbolik, krahasuar me buxhetin e filmit (1,2 milionë euro), por shanset që hapen me të janë fantastike”, thotë Butka: “Jo vetëm që na sjell zyrtarisht si pjesëmarrës në festivale të tilla, por bën edhe promocion territorial”.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, thotë se ndryshimi i legjislacionit të Shqipërisë do ta lehtësonte shumë bashkëpunimin mes dy vendeve. Kështu do të përfitonin edhe filmat e Kosovës financime nga Shqipëria, ndihmë që deri tani ka qenë njëdrejtimëshe. Kjo do t’ua shkurtonte rrugët e kineastëve shqiptarë drejt tapeteve të kuq të Festivaleve A, siç është ai i Berlinit. Edhe Heinz Badewitz, që për 37 vjet me radhë ka qenë bashkorganizator i Berlinales sheh një shans të madh në këto bashkëprodhime: Tani që Hollywood-i është në krizë, sepse për shkak të internetit publiku i kinemasë ka filluar të vjetërsohet në moshë, u ka ardhur koha filmave autorialë e me buxhet të vogël. “Këtë e pamë edhe në këtë Berlinale”, thotë 73-vjeçari: “Filmat më të mirë vinin nga vende të vogla që deri tani nuk njiheshin për ndonjë prodhimtari të lartë kinematografike”.

Deutsche Welle – Shqipëria dhe Kosova në Berlinalen 2015

Konference per Mediat – Pjesmarrje e QKK ne European Film Market, Berlinale 2015


Të nderuar gazetarë!


Qendra Kombëtare e Kinematografisë ju fton në konferencën për shtyp, që do të mbahet me rastin e hapjes së stendës shqiptare në European Film Market, Berlinale 2015.

Konferenca do të zhvillohet në sallën “Tefta Tashko Koço” të Ministrisë së Kulturës, nesër, datë 5 shkurt, ora 13:00.

Në linkun e mëposhtëm gjeni edhe katalogun e ri të QKK, përgatitur për Berlinale.

http://issuu.com/nationalfilmcenter/docs/qkk

Për çdo informacion të mëtejshëm mos hezitoni të na kontaktoni.

Agjensia e Lajmeve Sot News / Ilir Butka: Buxheti për filmin u rrit me 54 përqind / Julia Vrapi

Ilir Butka: Buxheti për filmin u rrit me 54 përqind këtë vit, komision për ndryshimin e ligjit të kinematografisë

Postuar: 20/01/2015 – 08:07

Ky vit ka nisur me një buxhet më të lartë për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, gjë që pritet të sjellë dhe një ndryshim të situatës me projektet e filmit. Për kryetarin e QKK, Ilir Butka, viti 2015 ka nisur dhe me përgatitje që do të sjellin një prezantim të Shqipërisë në Berlinale, ndërsa vlerëson jo pak edhe rezultatet e konkursit për projektin “Memoria”. Në intervistën dhënë për gazetë, kryetari i QKK Ilir Butka pohon se 54 përqind rritje e buxhetit për qendrën e filmi, tregon suportin që shteti i jep kinematografisë shqiptare si dhe komunitetit të kineastëve. Por kjo rritje e buxhetit sipas tij ka nisur dhe vitin që kaloi, duke pohuar se praktikisht QKK nuk ka borxhe, trashëgon disa detyrime kontraktore, të cilat do të shlyhen si për filmat që kanë mbaruar edhe për ato filma, të cilët nuk janë dorëzuar akoma, por që planifikohen të dorëzohen këtë vit. Në lidhje me financimin e projekteve të reja, kryetari i QKK Ilir Butka pohon se projektet e para që do të financohen për 2015 janë projektet, të cilat do të jenë gati për të filluar punën.
 
-Si ka nisur puna në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK), kur jemi në muajin e parë të 2015?
 
Këto ditë kanë dalë rezultatet e konkursit për “Projektin Memoria”, që organizon “Apulia Film Commission” (AFC). Nga rreth 50 projekte në konkurrim 6 prej tyre kanë fituar, nga të cilët 3 janë projekte të prezantuara nga shtëpitë filmike shqiptare me producentë shqiptarë. Pra, kemi një bilanc shumë pozitiv kur mendojmë që çdonjëri prej projekteve fiton të drejtën për t’u financuar me maksimumi 30 mijë Euro. Pra, kemi të bëjmë me rreth 90 mijë euro, që vijnë si kontribut i asaj që ne e kemi konsideruar si fonde alternative, të cilat i bashkëngjiten buxhetit tonë me fonde publike. Pjesëmarrja me të drejta të plota të shtëpive kinematografike shqiptare në këtë konkurs është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit, që u lidh në shtator të vitit të kaluar midis QKK dhe AFC dhe rezultatet e konkursit për Projektin Memoria, ishin dëshmia e parë e avantazheve që solli kjo marrëveshje. Ndërkohë, ne jemi në fazën e përgatitjeve për të marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Berlin (Berlinale), ku Shqipëria do të përfaqësohet me një stendë të përbashkët me Qendrën e Kinematografisë të Kosovës.
 
-Si kryetar i QKK, çfarë mund të na thoni mbi buxhetet e filmit. Sa është fondi këtë vit në QKK për projektet e filmit?
 
Jam i lumtur të jap një lajm të mirë: Pas kaq vitesh Buxheti i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për vitin 2015 u rrit me mbi 54 %. Përveç kësaj nuk duhet të harrojmë që rritja e buxhetit u konkretizua që në vitin 2014 duke e shtuar edhe me rreth 10 milionë lekë. Sigurisht, dua të shpreh mirënjohjen time për Kryeministrin, Qeverinë, Ministren e Kulturës, Ministrinë e Financave, Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Parlament të cilët dëgjuan me vëmendje argumentet tona dhe na mbështetën duke treguar njëkohësisht suportin që shteti shqiptar i jep jo vetëm kinematografisë shqiptare, por edhe kineastëve si komunitet.
 
-A ka borxhe me projekte të filmit në QKK, dhe sa është fondi që duhet të shlyejë për projektet?
 
Praktikisht QKK nuk ka borxhe. QKK trashëgon disa detyrime kontraktore, të cilat do të shlyhen si për filmat që kanë mbaruar edhe për ato filma, të cilët nuk janë dorëzuar akoma, por që planifikohen të dorëzohen këtë vit.
 
-Çfarë mund të na thoni për ligjin e kinematografisë, kineastët kërkojnë ndryshimin e tij. Ju si e shikoni ligjin dhe çfarë po bëhet për ndryshimin e tij, ku ka probleme ligji ekzistues i kinematografisë?
 
Diskutimi për ligjin e kinematografisë është një diskutim kompleks që duhet shqyrtuar me vëmendje dhe përgjegjësi. Për këtë QKK ka menduar të krijojë një komision, i cili do të përfaqësojë komunitetin dhe grupet e interesit, faktorët dhe aktorët, i cili do të sugjerojë dhe do të diskutojë për ndryshimet që duhen bërë nëse është e nevojshme. Është një proces që kërkon pjekuri dhe maturi.
 
-Kur do të hapen aplikimet për projektet filmike dhe kur do të zhvillohet mbledhja e parë e bordit në QKK?
 
Në muajin mars parashikohet të organizohet thirrja e parë për projektet e reja ku do të caktohet edhe afati për aplikimet.
 
-Në vitin që lamë pas u zhvilluan disa mbledhje të bordit dhe u miratuan projektet. Por si do të vijojë financimi, pasi dihet që buxhetet janë problem. Si do ta menaxhojë QKK këtë, pra cilët do të jenë projektet e para që do të marrin financim këtë dhe cilët do të fillojnë xhirime?
 
Ju thoni që buxhetet janë një problem ndërsa mua nuk më rezulton një problem i tillë. Filmi “Gold” i Bujar Alimanit, për shembull, është një film i cili fitoi në mbledhjet e bordit që ju citoni dhe ka mbaruar tashmë xhirimet dhe është në fazën e postproduksionit. Ky projekt është financuar pjesërisht dhe ne do të vazhdojmë shlyerjen e detyrimeve në bazë të kontratës. Të gjitha projektet e tjera do të financohen në vazhdim duke respektuar afatet kontraktore midis QKK dhe Shtëpive Kinematografike. Projektet e para që do të financohen janë ato projekte të cilat do të jenë gati për të filluar punën.
 
-Në politikat e QKK ju futët dhe filmin indipendent. Një praktikë kjo e munguar më herët në QKK, sipas jush si do të ndikojë kjo në kinematografinë shqiptare?
 
Flitet për një buxhet që do të vihet në dispozicion për të gjithë ata regjisorë dhe producentë të cilët duan të realizojnë filmat e tyre me një buxhet minimal duke sjellë ata vetë, kontribute njerëzore, teknike, profesionale dhe financiare, ndërsa QKK mund të marrë përsipër mbulimin e disa zërave në realizimin e projekteve të tyre. Qëllimi është nxitja e iniciativave të tilla duke shfrytëzuar mundësitë alternative që ekzistojnë për realizimet kinematografike. Buxheti në dispozicion për filmin indipendent përbën më pak se 1/10 e buxhetit të qendrës dhe me të u miratuan për financim 11 filma indipendente, 3 të gjatë, 5 të shkurtër dhe 3 dokumentarë.
 
-Gjithmonë vëmendja ka qenë më shumë në filmin artistik, por sa hapësirë do të gjejnë këtë vit dhe filmi dokumentar dhe ai i animuar?
 
Prej disa vjetësh QKK nuk kishte financuar projekte të filmit të animuar ndaj një nga angazhimet e para ka qenë pikërisht vëmendja ndaj kësaj kategorie të rëndësishme për kinematografinë tonë. E them këtë pasi ne kemi një trashëgimi mjaft interesante në fushën e animacionit me krijues të talentuar dhe profesionistë me eksperience në teknikat e ndryshme tradicionale të cilat mund të humbasin nëse nuk kujdesemi për këtë trashëgimi të vyer. Praktikisht, në mbledhjet e fundit janë miratuar 3 projekte të filmit të animuar. Po ashtu janë miratuar për financim 4 projekte të filmit dokumentar, njëri prej të cilëve, filmi dokumentar “Pritja”, me regji të Roland Sejkos është drejt përfundimit dhe besoj që do të kemi premierën e tij në pranverë.
 
-Ju pohuat se ka një rritje të buxhetit për filmin në QKK, a do të vijoni të kërkoni më shumë buxhet nga shteti për filmin?
 
Sigurisht ne do vazhdojmë të kërkojmë rritje buxheti për fondin e projekteve, sepse buxheti duhet të jetë në përpjestim të drejtë me ambiciet dhe ambiciet tona janë lidhura me projekte, të cilat duhet të gjejnë pjesërisht mbështetjen në buxhet dhe pjesën tjetër në burime alternative. Rritja e bashkëpunimit me institucionet homologe shtetërore dhe private, brenda dhe jashtë vendit, do të ndihmojë për të gjetur financime alternative konkrete për kinematografinë shqiptare. Marrëveshja e Bashkëpunimit me “Apulia Film Commission” ishte hapi i parë, që do të pasohet nga marrëveshje me institucione të tjera të cilat do të krijojnë premisat jo vetëm për bashkëpunim, financim por edhe për të promovuar ne një dritë të re në kinematografinë tonë.
 
-Këtë vit që ka nisur, si e shkoni zhvillimin e filmit shqiptar dhe a do të kemi premiera të filmit artistik?
 
Ky vit është një nga vitet më të pasura për nga sasia e projekteve të miratuara, 10 filma të gjatë, 9 filma të shkurtër, 3 filma të animuar, 4 dokumentarë dhe 4 zhvillime projekti. Besoj se do të kemi mjaftueshëm premiera këtë vit për të kuptuar trendin e filmit shqiptar, por sigurisht detyra më e madhe i mbetet krijuesve, të cilët janë financuar tashmë dhe nga të cilët varet në një farë mënyre fati jo vetëm i veprave të tyre por edhe i kinematografisë sonë. 
 
-Në fund të bisedës, çfarë mund të na thoni mbi bashkëpunimin që keni me Ministrinë e Kulturës?
 
Bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës ka qenë optimal. Kam informuar vazhdimisht ministren Kumbaro për iniciativat tona dhe kam kërkuar vazhdimisht që rezultatet tona pozitive t’i ndajmë bashkërisht. Kinematografia është pjesë e rëndësishme e kulturës kombëtare ndaj edhe Ministria e Kulturës ka qenë e vëmendshme dhe disponibël ndaj veprimtarisë së QKK-së. Ne jemi duke koordinuar dhe sinkronizuar gjithashtu të gjitha lëvizjet dhe iniciativat midis Ministrisë së Kulturës dhe QKK për të optimizuar lidhjet me institucionet homologe në vendet e tjera. Së shpejti një delegacion i Ministrisë së Kulturës ku do të bëjë pjesë edhe QKK do të shkojë në Kosovë për të koordinuar punën në të gjitha drejtimet për të pasur një axhendë të përbashkët kulturore.
 
Qendra Kombëtare e Kinematografisë-numra dhe fakte për vitin 2015
 
-Buxheti i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë u rrit me 54%.
-Regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë 48 Shtëpi Kinematografike
-Për vitin 2015 kanë aplikuar në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare një numër rekord prej rreth 80 projektesh filmike.
-Në fund të procesit të vlerësimit nga Këshilli Miratues i Projekteve u financuan 30 projekte: 10 filma të gjatë, 9 filma të shkurtër, 4 filma dokumentarë, 3 filma të animuar, 4 zhvillime projekti.
-Fitojnë për herë të parë mbështetjen financiare nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë 18 regjisorë te rinj.
-Ndër projektet e financuara, 6 prej tyre kanë regjisore femra.
-Numri i filmave të financuar për vitin 2015 përbën 15%, ose 1/6 e të gjithë filmave që QKK ka financuar në 18 vjet të ekzistencës së saj.  

Intervistoi: Julia Vrapi
 
/Agjensia e Lajmeve Sot News/
http://sot.com.al/kultura-intervista/ilir-butka-buxheti-për-filmin-u-rrit-me-54-përqind-këtë-vit-komision-për

Se kinematografia shqiptare po shënon përparim edhe përtej kufinjve, e tregon suksesi i fundit

Shtëpitë filmike “Klube Studios”, “Lissus Media” dhe “On Film Production” kanë arritur që të jenë fitues të projektit “Memoria” në Bari të Italisë.
Në konkurrim ishin gjithsej 50 projekte secila më kualitative se tjetra dhe në të pati gjashtë fitues, tri prej të cilëve shqiptarë.
Shtëpitë filmike shqiptare në këtë konkurs morrën pjesë si rezultat i bashkëpunimit që u lidh vitine kaluar në Otranto mes Qendrës Kombëtare Kinematografike të Shqipërisë dhe Apulia Film Comission.
Ndryshe edhe në të kaluarën kinematografia shqiptare ka pasur suskese jashtë vendit, me filma dhe aktorë që janë prezantuar me sukses në arenën ndërkombëtare.
Si do që të jetë, pavarësisht sukseseve, kinematografia shqiptare vazhdon të vuajë nga investimet e vogla që edhe e diktojnë kualitetin e filmave që prodhohen nga shqiptarët në përgjithësi. /LauretaDula/Telegrafi/
http://telegrafi.com/kinematografia-shqiptare-triumfon-ne-itali/

90 mije euro per 3 Shtepi Filmike shqiptare, fituese ne Projektin MEMORIA, (Bari, Itali)

Jane publikuar rezultatet e konkursit per Projektin Memoria qe organizon Apulia Film Commission. Nga rreth 50 projekte ne konkurim 6 prej tyre kane fituar, nga te cilat 3 jane projekte te prezantuara nga shtepite filmike shqiptare me producente shqiptare. Nje bilanc shume pozitiv kur mendojme qe cdonjeri prej projekteve fiton te drejten per tu financuar me maksimumin 30 mije Euro. Pra kemi te bejme me rreth 90 mije euro qe vijne si kontribut i asaj qe ne e kemi konsideruar si fonde alternative te cilat i bashkangjiten buxhetit tone te fondeve publike. Pjesemarrja me te drejta te plota te shtepive filmike shqiptare ne kete konkurs eshte rezultat i Protokollit te Bashkepunimit qe u firmos ne shtator te vitit te kaluar ne Otranto, midis Qendres Kombetare te Kinematografise dhe Apulia Film Commission.

Konkursi per Projektin Memoria ishte deshmia e pare e avantazheve qe solli ky Protokoll Bashkepunimi.


Linku i Protokollit te Bashkepunimit i nenshkruar midis Qendres kombetare te Kinematografise dhe Apulia Film Commission: