EDUART MAKRI ka lindur në Gjirokastër më 5 Qershor 1957, ku studioi deri në përfundim të shkollës së mesme.
Në 1981 mbaron me sukses studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Që gjatë viteve të studimit përzgjidhet për rol kryesor nga regjisori Dhimitër Anagnosti, në filmin “VËLLEZËR DHE SHOKË” (1979). Pas kësaj fiton role kryesore në “BESA E KUQE” dhe “NË KUFI TË DY LEGJENDAVE” me regjisor Piro Milkani, në filmin “NATË PA DRITË” të regjisorit Gëzim Erebara si dhe “NË EMËR TË LIRISË” të regjisorit Fehmi Oshafi.
Pas studimeve punon si Asistent Regjisor i Parë (First AD) në Kinostudion “Shqipëria e Re”, me regjisorët më të suksesshëm: duke punuar në 12 filma gjatë 5 vjetëve.
Në vitin 1985 realizon filmin e tij të parë me metrazh të mesëm “Vjeshtë e Nxehtë e 41-shit” (bashkë-regjisor) me skenar të Viktor Gjikës. Në vitin 1986 realizon filmin e tij të parë me metrazh të gjate si regjisor, me skenar të Dhimitër Xhuvanit, “Shpresa”, ku interpreton dhe një nga dy rolet kryesore. Në vitin 1991 realizon filmin e dytë me metrazh të gjatë si Regjisor/Skenarist, “Shpella e Piratëve”.
Në gusht të 1993, emërohet Drejtor i Drejtorisë së Arteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nën Ministrin e asaj kohe Z. Dhimitër Anagnosti. Në këtë detyrë merr pjesë drejtpërdrejt në hartimin dhe miratimin e Ligjit “Mbi Kinematografinë” dhe qe anëtar i grupit të punës, që projektoi dhe miratoi ndërtimin dhe miratimin e “Ligjit mbi veprimtarinë televizive dhe audiovizuale”.
Largohet nga Ministria e Kulturës për të krijuar dhe punuar si Drejtor Ekzekutiv në fondacionin e parë të pavarur për kulturën dhe artet: Fondacioni “Fan Noli”, të kryesuar nga Kryetari z. Dhimitër Anagnosti.
Në vitet 1997 – 1999 realizon dy spektakle të mëdha televizive muziko-letrare, si Regjisor, Producent e bashkë-Skenarist, në bashkëpunim me televizionin shqiptar; “Takohemi në Lutje” (kushtuar Nënë Terezës) dhe “Rrënjët e Jetës”, kushtuar nënave shqiptare.
Në vitin 1999 largohet me familjen për pothuajse 20 vjet në Toronto, kohë gjatë të cilës nuk e ndërpret punën në fushën e filmit, si aktor, skenarist, regjisor dhe producent. Ai është anëtar i ACTRA (The Alliance of Canadian Cinema, Television and Radio Artists), WGC (Writer’s Guild of Canada) dhe EFA (European Film Academy).
Në vitin 2015 realizon filmin e tij të suksesshëm “Quo Vadis?”, pjesëmarrës në konkurimin zyrtar një 12 festivale ndërkombëtare (US & Canada), fitues i 3 çmimeve ndërkombëtare.
Më 2018 kthehet në Tiranë dhe angazhohet si pedagog i Mjeshtërisë së Regjisurës në Akademinë e Filmit dhe Multimedias MARUBI.
Më datë 17 prill 2019 emërohet Kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Më datë 29 qershor 2023 lirohet nga detyra e Kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Curriculum Vitae i Z. Eduart Makri