Sipas Nenit 11 të Ligjit me №119/2014, «Për të drejtën e informimit», hapat që duhen ndjekur për të realizuar një kërkesë për informim janë:
1. Kërkesa për informim bëhet me shkrim dhe dërgohet dorazi, me postë ose me postë elektronike, duke paraqitur saktë identitetin e kërkuesit dhe nënshkrimin e tij. Në çdo rast, kërkesa regjistrohet në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve, të parashikuar në nenin 8 të këtij ligji.
2. Në çdo rast, kërkesa për informim regjistrohet dhe për të caktohet një numër rendor. Numri rendor, së bashku me të dhënat e kontaktit të koordinatorit për të drejtën e informimit, i jepen kërkuesit që ka bërë kërkesën për informim.
3. Kërkesat për informim regjistrohen sipas radhës së paraqitjes dhe trajtohen pa dallime mes tyre.
4. Kërkesa për informim duhet të përmbajë:
a) emrin dhe mbiemrin e kërkuesit;
b) adresën postare ose elektronike ku kërkohet të dërgohet informacioni;
c) përshkrimin e informacionit që kërkohet;
ç) formatin në të cilin preferohet informacioni;
d) çdo të dhënë që kërkuesi gjykon se mund të ndihmojë në identifikimin e informacionit të kërkuar.
5. Në qoftë se kërkesa për informim nuk e përcakton formatin në të cilin kërkohet informacioni, ai jepet në mënyrën më të efektshme dhe me koston më të ulët për autoritetin publik.