Shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të licencuara dhe të subvencionuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat e korporatës.
URL e ligjit në faqen e internetit të Qendrës së Botimeve Zyrtare: https://qbz.gov.al/eli/ligj/2023/03/30/29
LIGJ № 29/2023
PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT, I NDRYSHUAR
Neni 27
Tatimpaguesi për tatimin mbi të ardhurat e korporatave
1. Çdo entitet i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat e korporatave, ku përfshihen kryesisht:
a) shoqëritë kolektive;
b) shoqëritë komandite;
c) shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar;
ç) shoqëritë aksionare; dhe
d) çdo entitet tjetër, përfshirë entitetet jorezidente, që nuk parashikohen në shkronjat “a” deri “d” të kësaj pike, përfshirë edhe entitetet që i nënshtrohen një regjimi të veçantë tatimor.
2. Entitetet e mëposhtme janë të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat e korporatës:
a) organet e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, të krijuara me Kushtetutë, ligj ose vendim të Këshillit të Ministrave, që kanë si veprimtari të tyre parësore përmbushjen e funksioneve të qeverisjes qendrore;
b) Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave;
c) fondacionet ose institucionet financiare jobankare, të krijuara ose të transferuara me vendim të Këshillit të Ministrave, që synojnë mbështetjen e politikave zhvilluese të qeverisë nëpërmjet dhënies së kredive;
ç) entitetet që ushtrojnë vetëm veprimtari të karakterit fetar, humanitar, bamirës, shkencor apo edukativ, pasuria apo fitimi i të cilëve nuk përdoret për përfitimin e organizuesve apo anëtarëve të tyre;
d) organizatat e punës apo dhomat e tregtisë, industrisë ose bujqësisë, pasuria apo fitimi i të cilave nuk përdoret për përfitimin e një individi apo të një anëtari të tyre;
dh) entitetet e parashikuara në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi;
e) shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të licencuara dhe të subvencionuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
3. Të gjitha entitetet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, përveç shkronjave “a” dhe “b”, pavarësisht nga përjashtimi i tatimit mbi të ardhurat e korporatës, janë të detyruara të dorëzojnë në organet tatimore deklaratën tatimore dhe pasqyrat e raportimit financiar në të njëjtat afate si entitetet, që i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat e korporatës.