QKK | Kush jemi ?

English version

Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) është krijuar në vitin 1997.

QKK është institucioni më i rëndësishëm kombëtar që inkurajon, financon dhe promovon prodhimin kinematografik në Shqipëri. Përmes administrimit të fondit publik, QKK mundëson zhvillimin e industrisë së filmit në vendin tonë.

Qëllimi i QKK-së është zhvillimi i kinematografisë sonë duke inkurajuar vizonet e reja. Kriteri kyç në proçedurën e përzgjedhjes së projekteve fituese mbetet vlera artistike. QKK që prej krijimit të saj, mbështet prodhimin, distribuimin dhe promovimin e filmave me metrazh të gjatë, të shkurtër, dokumentar dhe të animuar. QKK përkrah kineastët shqiptarë veçanërisht për bashkëprodhime ndërkombëtare. Kjo është një strategji efikase për të siguruar distribucion dhe një audiencë më të gjerë jashtë kufijve. QKK financon filma me metrazh të shkurtër të regjisorëve të rinj, si dhe ndihmon studentët kineastë në produksionet e tyre të para kinematografike.

QKK ofron mbështetje financiare për festivale filmi, organizon Ditë të Filmit Shqiptar në vende të tjera, si dhe seminare e konferenca që kontribojnë në zhvillimin e industrisë së filmit në Shqipëri. QKK gjithashtu ndihmon edhe botimin e literaturës së artit filmik. QKK është përfaqësuese e Shqipërisë pranë strukturave ndërkombëtare kinematografike Eurimages, SEE Cinema Network dhe European Film Promotion dhe organizon pavione të filmit shqiptar në festivalet ndërkombëtare të filmit në Kanë dhe Berlin.

Filmat e realizuar me fondet e QKK kanë qënë të suksesshëm dhe janë nderuar me çmime në festivale të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.


Kompetencat e QKK

1. Përcakton shpërndarjen e fondit buxhetor për gjinitë e filmit (artistik, dokumentar e të animuar).
2. Shpërndan fondin për projektet që përmbushin kërkesat e rregullores për prodhimin dhe shpërndarjen e filmit dhe që kanë vlera cilësore dhe interes kulturor kombëtar, gjithashtu raporton për realizimin e projekteve dhe fondeve të miratuara.
3. Miraton projektet për realizimin e veprave filmike të një producenti shqiptar, të producentëve shqiptarë a të huaj, kur jepen fonde nga QKK.
4. Përcakton fondet për festivale e javë filmi kombëtar e ndërkombëtar.
5. Propozon ndryshime dhe përmirësime në ligje, vendime, urdhra e urdhëresa të fushës dhe, veçanërisht, për masat organizative, teknike, ligjore dhe financiare, për një funksionim më të mirë të sistemit ligjor kombëtar të filmit, të cilat, pasi shqyrtohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, paraqiten për miratim në Këshillin e Ministrave nëpërmjet Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
6. Organizon dhe mbështet financiarisht kualifikimin, specializimin dhe përgatitjen e kineastëve të rinj, si dhe botimet e ndryshme të veprimtarisë kinematografike.
7. Regjistron të gjithë personat fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari në fushën e prodhimit dhe të shpërndarjes së filmave, sipas procedurave të përcaktuara në rregullore, si dhe pajis me certifikatë për ushtrimin e këtyre veprimtarive të gjithë aplikantët, që plotësojnë kushtet e nevojshme, të përcaktuara në rregullore”.
8. Regjistron të gjithë personat fizikë e juridikë që zotërojnë sallat a mjedise të tjera për shfaqjen e veprave filmike, sipas rregullores së shpërndarjes dhe shfaqjes së veprave filmike në territorin e Republikës së Shqipërisë.
9. Regjistron filmat e realizuar ose të importuar që do të shfaqen në territorin e Shqipërisë.
10. Kontrollon zbatimin e standardeve teknike të aparaturave që funksionojnë në Shqipëri për prodhimin dhe shpërndarjen e veprave filmike.
11. Organizon kualifikimin, specializimin dhe përgatitjen e kineastëve të rinj.
12. Informon producentët për mundësitë e saj financiare, për ndryshimet në këshillat e saj miratues, për ndryshimet e akteve ligjore e nënligjore dhe për pjesëmarrjen në festivale e javë të filmit kombëtar e ndërkombëtar.
13. Shqyrton, nga ana artistike, projektet e paraqitura nga relatorët e caktuar në këshillin e projekteve.
14. Analizon dokumentacionin tekniko-ekonomik të projekteve të paraqitura, duke zbatuar normativat e miratuara prej saj.
15. Mbështet financiarisht, me një fond të veçantë buxhetor, projektet e shpërndarjes së veprave filmike shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.