Ndahet nga jeta Anastas Kristofori

Qendra Kombëtare e Kinematografisë i shpreh ngushëllimet të afërmve dhe miqve!

Anastas Kristofori do të kujtohet për rolet e tij shumë të dashura për publikun si në teatër ashtu dhe në kinematografi.

Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli i sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” e Besim Levonjës, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” e Adelina Balashit e shumë të tjera.

Në kinematografi roli i tij i parë ishte në vitin 1976 roli i Stavrit , Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure” më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982, rolin e z.Antonio, Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984, rolin e z.Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj.

Roli i tij më i fundit ishte roli i Perikliut në kinodramën “Po vjen Ai” në vitin 1998 një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176” i Adelina Balashit.

Për meritat e tij artistike Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.