Neni 1
Qëllimi dhe fusha e zbatimit
1. Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.
2. Përcaktimi i rregullave, si dhe zbatimi i tyre, synon uljen e rrezikut operacional që mund të shkaktohet nga keqpërdorimi i sistemeve të TIK-ut, si edhe të ruajë integritetin e këtyre sistemeve në mbështetjen e veprimtarisë së përdoruesve.
3. Kjo rregullore zbatohet për të gjithë përdoruesit e teknologjisë së informacionit dhe për të gjitha pajisjet kompjuterike e elektronike pronë e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Neni 2
Baza ligjore
Këto rregulla nxirren në bazë e në përputhje me:
• Ligjin me №8096, datë 21.03.1996, «Për kinematografinë», të ndryshuar
• Ligjin me №10325, datë 23.9.2010, «Për bazat e të dhënave shtetërore»
• Ligjin me 119/2014, «Për të drejtën e informimit», të ndryshuar
• Ligjin me №43/2023, «Për qeverisjen elektronike»
• Ligjin me №25/2024, «Për sigurinë kibernetike»
• Ligjin me №54/2024, «Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë»
• Ligjin me №124/2024, «Për mbrojtjen e të dhënave personale»
• Vendimin e Këshillit të Ministrave me №602, datë 21.8.2003, «Për miratimin e statutit të Qendrës Kombëtare Kinematografike», të ndryshuar
• Vendimin e Këshillit të Ministrave me №945, datë 2.11.2012, «Për miratimin e rregullores “Administrimi i sistemit të bazave të të dhënave shtetërore”»
• Vendimin e Këshillit të Ministrave me 957, datë 19.12.2012, «Për mbetjet nga pajisjet elektrike dhe elektronike»
• Vendimin e Këshillit të Ministrave me №710, datë 21.8.2013, «Për krijimin dhe funksionimin e sistemeve të ruajtjes së informacionit, vazhdueshmërisë së punës dhe marrëveshjeve të[ nivelit të shërbimit», të ndryshuar
• Vendimin e Këshillit të Ministrave me №673, datë 22.11.2017, «Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit», të ndryshuar
• Vendimin e Këshillit të Ministrave me №782, datë 18.12.2024, «Për përcaktimin e rregullave të detajuara për aksesimin e faqeve zyrtare të internetit të autoriteteve publike»
• Vendimin e Këshillit të Ministrave me №531, datë 25.9.2025, «Për përmbajtjen dhe mënyrën e dokumentimit të masave organizative, teknike dhe operacionale të sigurisë kibernetike dhe kategorizimin e afateve të masave korrigjuese në infrastrukturat kritike e të rëndësishme të informacionit»
Neni 3
Përdoruesit
Përdoruesit e teknologjisë së informacionit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë janë:
1. Përdorues të brendshëm:
a) Kryetari;
b) këshilltarët e Kryetarit;
c) nëpunësit.
2. Përdorues të jashtëm, të cilët i referohen çdo personi të autorizuar si përdorues për qëllime pune.
Neni 4
Përkufizime
1. Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit janë hardware dhe software (kompjuterë, telefona celularë, internet, sistem operativ, programe kompjuterike, aplikacione celular etj.) që mundësojnë mbledhjen, ruajtjen, përdorimin dhe transmetimin e të dhënave.
2. Aftësitë TIK janë aftësi që mundësojnë përdorimin efektiv të mjeteve të zakonshme ose të përparuara të programeve kompjuterike (kompjuterë, programe kompjuterike, internet).
3. Specialisti i TIK-ut (ose IT) është punonjës për të cilët puna kryesore është zhvillimi i TIK-ut, operimi ose mirëmbajtja e sistemeve apo aplikacioneve të TIK-ut.
4. Kompjuteri/ordinatori përfshin kompjuterët personalë, tabletat apo pajisje të tjera portative, si: Smartphone apo Personal Digital Assistants (PDAs).
5. Aksesi në internet i referohet një lidhjeje të jashtme në internet përmes një kompanie që operon si Ofrues i Shërbimit në Internet (Internet Service Provider – ISP).
6. Broadband janë teknologjitë apo lidhjet të cilat mundësojnë transmetimin e shpejtë të të dhënave, si p.sh.: dokumente, regjistrime audio/video, filma, lojëra, video-konferenca nëpërmjet një rrjeti interneti (për shembull: ADSL, lidhje kabllor, UMTS, lidhje optike, VDSL, fibër optike etj.).
7. Website është faqja e internetit, një dokument me HyperText, e cila mund të përmbajë tekst, lidhje link, video, foto, materiale të tjera të dokumenteve elektronike.
8. Server është kompjuteri me parametra fizikë specifikë, i cili shërben për ruajtjen e të dhënave, instalimin e aplikacioneve të ndryshme, si dhe për të vendosur, nëpërmjet tij, ndarjet e privilegjeve për përdoruesit.
9. Firewall është pajisje apo program kompjuterik që është i konfiguruar për të kontrolluar trafikun që kalon nëpër rrjet, duke e lejuar apo bllokuar atë, në bazë të një grupi rregullash.
10. IM (Instant Messaging) janë teknologji që japin mundësinë e komunikimit me tekst në kohë reale midis dy apo më shumë bashkëbiseduesve në rrjet të mbyllur apo internet.
11. UserID/Username është varg karakteresh që identifikon në mënyrë unike një përdorues në një sistem apo rrjet kompjuterik.
12. Password është fjalëkalim, kod sekret i një përdoruesi, që nuk duhet të njihet nga përdoruesit e tjerë, dhe që i përdorur bashkë me UserID, lejon aksesimin e një sistemi kompjuterik.
13. Logim është procesi nëpërmjet të cilit një përdorues fiton akses në një sistem apo rrjet kompjuterik, i cili zakonisht nënkupton futjen e një UserID-je (username) dhe një fjalëkalimi (password-i).
14. Postë elektronike konsiderohet çdo mesazh në formën e tekstit, tingullit apo imazhit të dërguar nëpërmjet rrjetit publik të komunikimeve, i cili mund të ruhet në rrjet ose në pajisjen fundore të marrësit derisa marrësi ta marrë atë.
15. Domain Name është pjesa e tekstit që vjen pas shenjës “@” në një adresë e-mail. Meqenëse interneti funksionon në bazëtë adresave IP (katër numra), çdo domain name ka korrespondentin numerik unik.
16. Mail Client është program në kompjuterët e përdoruesve që bën të mundur dërgimin, marrjen dhe organizimin e e-mail-it.
17. Reply to all është mundësi e ofruar nga mail client, për të kthyer përgjigje me e-mail jo vetëm dërguesit, por të gjithë përdoruesve të adresave të e-mail-ve të përfshira në e-mail- in fillestar të dërguesit, në “To” apo “CC”.
18. Recall është mundësi e ofruar nga mail client për të tërhequr mbrapsht një e-mail të dërguar.
19. Antivirus/Antispyware janë programe të cilat bëjnë të mundur kontrollimin, identifikimin, eliminimin e programeve kompjuterike të dëmshme, të instaluara në kompjuterë (virus, trojan etj.).
20. Spam janë mesazhe elektronike, e-mail, me përmbajtje komerciale apo informuese jozyrtare, zakonisht të nisura nga software në mënyrë automatike.
21. Attachment është një file në kompjuter i cili dërgohet me anë të një e-mail-i, mund të jetë dokument (PDF, Word, Excel, Access etj.), audio (format FTR, MP3 etj.), foto (jpeg, gif, etj.), një sërë mesazhesh e-mail të tjera, video apo çdo lloj elementi elektronik.
22. Chat është program i cili lejon komunikimin në kohë reale midis dy apo më shumë përdoruesve në internet.
23. Të dhëna vetjake janë çdo informacion në lidhje me nëpunësin e administratës publike, i identifikuar ose i identifikueshëm, direkt ose indirekt, në veçanti duke iu referuar një numri identifikimi ose një a më shumë faktorëve të veçantë për identitetin e tij fizik, fiziologjik, mendor, ekonomik, kulturor apo social.
Neni 5
Administrimi i pajisjeve elektronike dhe i programeve kompjuterike
1. Pajisjet elektronike dhe programet kompjuterike, të cilat, janë pronë e QKK-së trajtohen në të njëjtën mënyrë si aktivet e tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e aktiveve.
2. Administrimi i rrjetit dhe i pajisjeve kompjuterike kryehet nga specialisti i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (në vijim «specialisti IT»), pranë sektorit të shërbimeve mbështetëse të QKK-së.
3. Nëpunësit që i kanë në ngarkim aktivet hardware dhe software janë përgjegjës për kujdesin, sigurinë dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të teknologjisë së informacionit, hardware, software dhe platformave TIK.
Neni 6
Pajisja me mjete IT
1. Përdoruesi i brendshëm ka të drejtën të pajisjet me mjete të teknologjisë së informacionit për të ushtruar detyrën e tij.
2. Përdoruesi i brendshëm ka të drejtë të shfrytëzojë burimet TIK të QKK-së, në përputhje me detyrën që ushtron.
3. Për shpërndarjen e pajisjeve elektronike dhe programeve kompjuterike, si dhe për grumbullimin e tyre, në rast të largimit të personit nga detyra, specialistit IT i paraqitet një kërkesë nga specialisti përgjegjës për burimet njerëzore, e cila, duhet të përmbajë:
a) të dhënat individuale;
b) zyra e caktuar për ushtrimin e detyrës;
c) nevojat e veçanta;
d) emërimin në detyrë ose lirimin/largimin prej saj.
4. Në rast largimi nga puna të punonjësit përkatës zbatohen rregullat për menaxhimin e aktiveve lidhur me dorëzimin e pajisjeve kompjuterike dhe/ose TIK. Në këtë rast pajisjet TIK futen në magazinën e institucionit.
Neni 7
Rregullat e përdorimit të pajisjeve TIK nga nëpunësit e QKK-së
1. Përdoruesi përdor pajisjet elektronike dhe programet kompjuterike, pronë e QKK-së, vetëm për kryerjen e detyrave të përcaktuara në rregulloret në fuqi, të miratuara nga Kryetari.
2. Përdoruesi i sistemit TIK duhet të zotërojë njohuritë e nevojshme dhe të ketë aftësitë e mjaftueshme teknike për përdorimin e pajisjeve të IT-së deri në masën që i shërben ushtrimit të detyrës.
3. Në asnjë rast, përdoruesi nuk duhet të ndërhyjë fizikisht, me/pa nismën e tij, në mjetet e IT- së. Në qoftë se, gjatë shfrytëzimit të tyre, përdoruesi ka hasur në probleme të natyrës teknike, ai duhet të njoftojë menjëherë specialistin e IT-së për asistencë teknike.
4. Në asnjë rast, përdoruesi nuk duhet të mbajë në monitor të dhëna të detyrës funksionale në prani të një personi të paautorizuar, si brenda institucionit, edhe jashtë tij.
5. Nuk lejohet për asnjë nëpunës të QKK-së, hapja ose shkarkimi nga USB-ja, disketa, CD-ja ose DVD- ja, i materialeve të ndryshme pa u kontrolluar më parë për viruse.
6. Përdoruesi është përgjegjës për ruajtjen e informacionit që disponon nga keqpërdorimi, aksesi i paautorizuar ose dëmtimi i qëllimshëm gjatë procesit të punës.
7. Përdoruesi nuk duhet të shkarkojë në asnjë rast në kompjuterin/at që ka në përdorim, programe kompjuterike nga interneti apo ndonjë burim tjetër, pa miratimin paraprak të specialistit të IT-së. Kërkesa bëhet me shkrim, dhe përgjigja jepet po njëlloj.
8. Në rast se një nëpunës konstaton se ka pasur shkelje të sigurisë në sistemet TIK, kompjuterit ose kompjuteri është infektuar me virus apo programe të tjera, që cenojnë integritetin e sistemit, ai duhet të lajmërojë menjëherë specialistin IT.
9. Përdoruesi nuk duhet të krijojë, ruajë, transmetojë me mjete TIK, apo nëpërmjet tyre, materiale që kanë karakter fyes, shpifës, racist, diskriminues, denigrues, seksual, pornografik apo që përbëjnë vepër penale. Përdoruesi, i cili, bie në kontakt apo merr materiale të tilla, duhet të njoftojë menjëherë specialist IT-së.
10. Nuk lejohet përdorimi i mjeteve të IT-së pronë e QKK-së, për arsye vetjake dhe/ose përfitimi.
11. Përdoruesit e jashtëm duhet mbikëqyren nga specialisti IT, pasi ky i fundit të jetë njoftuar, për të garantuar zbatimin e kësaj rregulloreje, kur ata përdorin rrjetin e QKK-së ose pajisjet e saj.
12. Në përfundim të punës, të gjithë përdoruesit duhet të fikin pajisjet elektronike që kanë në përdorim.
13. Çdo nëpunës duhet t’i vendosë një fjalëkalim, përdoruesit të tij, në sistemin operativ të kompjuterit që ka në ngarkim.
14. Fjalëkalimet ndryshohen në mënyrë periodike, të paktën çdo tri muaj.
15. Fjalëkalimet nuk duhet të ndahen me persona të tjerë brenda apo jashtë QKK-së.
16. Fjalëkalimet duhet të respektojnë kriteret e sigurisë sipas rastit (numër karakteresh, lloj karakteresh apo fjala e vendosur).
17. Në një sistem kompjuterik pronë e QKK-së, do të instalohen vetëm ato programe që i nevojiten përdoruesit për kryerjen e detyrës funksionale. Në çdo kompjuter instalohet sistemi operativ dhe paketa Office.
18. Për çdo software shtesë duhet të merret miratimi nga Kryetari i QKK-së, pas propozimit nga specialisti IT.
19. Programet kompjuterike të përdorura në QKK duhet të jenë të pajisura me licencë që lejon instalimin dhe përdorimin e tij.
20. Kur kompjuterët kanë nevojë për format ose reset, nëpunësi, i cili, e ka në ngarkim atë, është përgjegjës për kopjimin/transferimin e materialeve në një medium tjetër përpara realizimit të këtij procesi.
21. Roli i specialist IT është i ndarë rreptësisht nga rolet funksionale (përpunues i aplikimeve, përpunues i të dhënave, aprovues/miratues) në sistemet AMS, SQDNE, HRMIS, AFMIS, etj.. Specialistit IT nuk lejohet të kryejë veprime procedurale në sistemet AMS, SQDNE, HRMIS, AFMIS, etj..
Neni 8
Përdorimi i postës elektronike
1. Adresa zyrtare e postës elektronike dhe mesazhet elektronike nuk janë pronë individuale e nëpunësve të QKK-së. Është i ndaluar përdorimi i adresës së postës elektronike zyrtare për qëllime private.
2. Administrimi i postës elektronike zyrtare kryhet në përputhje me standardet e vendosura nga Agjencia Kombëtare për Shërbimin e Informacionit (AKSHI), në përputhje me legjislacionin në fuqi për teknologjinë e informacionit dhe organizimin dhe funksionimin e kësaj agjencie.
3. Çdo përdoruesi të brendshëm i caktohet një adresë poste elektronike me qëllim që të përdoret ekskluzivisht për nevoja të punës. Adresa është individuale dhe përdorimi i saj është i mbrojtur me fjalëkalimin që zotërohet vetëm nga punonjësi. Fjalëkalimi i postës elektronike skadon automatikisht pas 90 ditëve, si protokoll sigurie nga AKSHI.
4. Posta elektronike mund të përdoret edhe nëpërmjet telefonave mobile, pas instalimit nga specialisti i IT-së.
5. Punonjësit e kanë të ndaluar të ridrejtojnë (forward) në mënyrë automatike mesazhet elektronike të marra nëpërmjet rrjetit të institucionit tek adresa e postës elektronike private.
6. Institucioni rezervon të drejtën për të monitoruar, rishikuar, ndërprerë apo publikuar çdo mesazh të hartuar, dërguar apo marrë nëpërmjet rrjetit. Monitorimi, rishikimi dhe ndërprerja e mesazheve mund të kryhet nga specialisti IT me ndihmën e software-ëve për filtrimin e përmbajtjes.
7. Institucioni rezervon të drejtën që të ndryshojë rrugën, destinacionin apo të pezullojë dërgimin e mesazheve në varësi të rrethanave, duke njoftuar menjëherë dërguesin. Kjo përfshin, por nuk është e kufizuar me:
a) pengimin e dërgimit, alternimin, arkivimin apo fshirjen e dokumenteve të bashkëngjitura (attachment) ose kodin e mesazhit atëherë kur dyshohet se përbën rrezik për funksionimin e sistemit kompjuterik;
b) eliminimin e përmbajtjeve shtesë në mesazhe (p.sh., muzikë), që konsiderohen pa vlerë për institucionin dhe zënë vend në memorie;
c) pengimin e dërgimit apo arkivimin e mesazheve me përmbajtje të dyshimtë, mesazheve që përmbajnë dokumente të bashkëlidhura (attachment) me emra dhe prapashtesa të dyshimta;
ç) pengimin e dërgimit apo arkivimin e mesazheve të formuluara në gjuhë fyese;
d) pengimin e dërgimit apo arkivimin e mesazheve që konsiderohen si jozyrtarë apo/ose reklama komerciale (spam).
8. Në rast largimi nga puna të nëpunësit:
a) specialisti i burimeve njerëzore informon specialistin IT, kur një punonjës e lë punën ose afati i tij i punësimit mbaron për çdo lloj arsyeje. Specialisti IT bën arkivimin e korrespondencës elektronike të llogarisë në CD/DVD, dhe heqjen e të drejtave të aksesimit në infrastrukturën TIK, përpara se punonjësi të largohet fizikisht nga ambienti i punës;
b) nëse kërkohet nga eprori direkt i punonjësit, aktivizohet një mesazh automatik (out of office) për të njoftuar të gjithë dërguesit për pamundësinë e komunikimit të mëtejshëm si pasojë e largimit nga puna;
c) pas përfundimit të një afati një mujor nga dita e largimit, bëhet fshirja përfundimtare e adresës së postës elektronike zyrtare.
9. Në komunikimet ndërmjet nëpunësve të QKK-së dhe palëve të treta, apo nëpunësve shtetërorë jashtë institucionit, duhet vendosur në CC ose BCC adresa e postës elektronike të Kryetarit të QKK-së.
Neni 9
Rregulla mbi përdorimin e internet-it dhe software-ëve
1. Specialisti IT duhet të:
a) sigurojë që për çdo kompjuter që lidhet në internet, të aplikohet firewall dhe kontrollet e sigurisë së aksesit të konfigurohen në mënyrë të tillë që asnjë aplikacion i brendshëm të mos hapë porta alternative komunikimi me internetin;
b) pajisë nëpunësit me fjalëkalime individuale për kompjuterët që përdorin ose për aksesin në internet;
c) vendos opsionet e sistemit dhe kompjuterëve lokalë në mënyrë që përdoruesit mos të kenë të drejta të plota mbi sistemin e shfrytëzimit (OS), si dhe softëare-ët e sigurisë ose antiviruset.
2. Përdoruesit e brendshëm duhet të tregohen të kujdesshëm gjatë aksesimit të shërbimeve online, me qëllim:
a) mirëpërdorimin e internetit, vetëm duke aksesuar faqe dhe shkarkuar materiale që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me detyrat e tyre;
b) minimizimin e kërkimit në internet, kur nuk është i autorizuar nga eprori;
c) ruajtjen e tërësisë së informacionit në internet;
ç) të mos çaktivizojnë opsionet e antivirusit për materialet që shkarkohen nga interneti.
3. Kryetari i QKK-së mund të autorizojë:
a) bllokimin e faqeve të caktuara të internetit që gjykohen si të pavlefshme për punën (p.sh., me përmbajtje të paligjshme, diskriminuese apo pornografike);
b) monitorimin e faqeve të internetit dhe listës se tyre, të hapura në mënyrë kronologjike nga punonjësi;
c) shkarkimin e software-ëve nga interneti;
ç) përdorimin e faqeve me pagesë për informacion të vlefshëm për qëllime pune.
Neni 10
Trajtimi i incidenteve
1. Specialisti IT duhet të njoftohet nëpërmjet e-mail-it për të gjitha incidentet që ndikojnë në besueshmërinë, integritetin ose aksesin e të dhënave apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit pronë e QKK-së.
2. Vjedhja e informacionit, hyrja e paautorizuar, infektimi nga viruset janë raste për të cilat parashikohen masa administrative ose penale, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Në qoftë se konstatohet që pajisjet e teknologjisë së informacionit janë dëmtuar në çfarëdo mënyre, specialisti IT mban një procesverbal, i cili, protokollohet. Procesverbali duhet të përmbajë:
a) të dhënat e personit që e ka në ngarkim pajisjen;
b) datën, orën dhe vendin e konstatimit të dëmtimit, mosfunksionimit, defektit;
c) llojin, specifikat, shkaqet e problematikës;
ç) mendimin për procedimin e mëtejshëm;
d) emrat dhe firmat e specialistëve që ekzaminuan rastin;
dh) emrin dhe firmën e personit që ka në ngarkim pajisjen.
4. Në rastin kur konstatohet një problematikë, e cila, nuk mund të riparohet, pajisjet elektronike dërgohen në zyrën e specialistit IT, që të asgjësohet informacioni në përputhje me legjislacion në fuqi. Ndalohet dhënia e pajisjes së re, në qoftë se nuk realizohet kjo procedurë.
5. Për shkaqe sigurie, nuk mund të transmetohen përmes telefonit fjalëkalimet e sistemeve të teknologjisë së informacionit të QKK-së.
6. Fjalëkalimet për logimin në serverë, firewall, microtik, router, switch të menaxhueshëm, të cilat janë në pronësi të QKK-së, si dhe konfigurimet e çdo pajisje të QKK-së, përbëjnë të dhëna konfidenciale, dhe disponohen/mbahen vetëm nga specialisti IT i QKK-së.
7. Incidentet trajtohen me përparësinë më të madhe nga specialisti IT në raport me detyrat e tjera të tij.
8. Përdorimi i rrjetit dhe pajisjeve TIK nga çdo nëpunës i QKK-së kërkon domosdoshmërisht zbatimin e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave vetjake dhe çdo legjislacion tjetër të nevojshëm për realizimin e detyrave të tij.
Neni 11
Hartimi i politikave të sigurisë dhe realizimi i konfigurimeve në TIK
1. Specialisti IT i QKK-së harton dhe zbaton politikat e sigurisë, të cilat, kanë të bëjnë me TIK-un.
2. Çdo ndryshim në konfigurimin e infrastrukturës, të tilla si: server, firewall, network, etj., duhet të dokumentohen paraprakisht.
3. Kërkesat për ndryshime duhet të jenë të motivuara, si dhe t’i paraqiten Kryetarit për miratim përpara implementimit, përveç rasteve emergjente ose incidenteve.
Neni 12
Përditësimi i faqes zyrtare të internetit të QKK-së dhe i rrjeteve sociale
1. Përditësimi i faqes zyrtare të internetit të QKK-së dhe i rrjeteve sociale të saj kryhet vetëm nga specialisti IT, sipas nevojave të nëpunësve përkatës.
2. Komunikimi me specialistin IT, për përditësimin e faqes së internetit dhe rrjeteve sociale, realizohet vetëm nëpërmjet postës elektronike. Materialet, të cilat, do të publikohen në faqen e internetit, i dërgohen specialistit IT vetëm nëpërmjet postës elektronike.
3. Përditësimi në «programin e transparencës» në faqen zyrtare në internet, kërkon 10 ditë pune.
4. Specialisti i IT-së mban komunikim të vazhdueshëm me AKSH-in me qëllim shkërmbimin e informacionit për problematika të ndryshme mbi domainin dhe hostin.
Neni 13
Përdorimi i TIK-ut në mbledhjet e KMP-ve
1. Mbledhjet e KMP-ve, kur organizohen krejtësisht online, ose në mënyrë hibride, zhvillohen nëpërmjet aplikacioneve Teams ose Zoom.
2. Mbarëvajtja e organizimit të mbledhjes online mbikëqyret nga specialisti IT, i cili, mund të marrë pjesë gjatë mbledhjes për nevoja teknike.
3. Mbledhjet e KMP-ve mund të regjistrohen me kërkesë të Kryetarit të QKK-së ose të vetë KMP-së. Një ekzemplar i regjistrimit i dorëzohet arkivistes nga specialisti IT, dhe një kopje mbahet nga ky i fundit në NAS.
4. Kopje nga arkivi i mbledhjeve të KMP-ve, në formatin audiovizual, nxirren vetëm me urdhër të Kryetarit të QKK-së.
Neni 14
Emërtesat e domain-eve të QKK-së
Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka në dispozicion të saj 2 domain, me emërtesat:
a. qkk.al për faqen zyrtare të internetit;
b. qkk.gov.al për postën elektronike zyrtare (e-mail).
Neni 15
Vazhdueshmëria e punës dhe backup
1. Çdo nëpunës i QKK-së duhet të ruajë në OneDrive, të ofurar nga AKSHI, nëpërmjet postës elektronike zyrtare, dokumentet elektronike që ka në kompjuterin, të cilin e ka në ngarkim.
2. Çdo material audio-vizual, i cili, dorëzohet pranë arkivistes ose nëpunësve të tjerë QKK-së, në kuadër të përfundimit apo mbylljes së dosjes së projektit, apo të dhënies së lejes së qarkullimit për një vepër audio-vizuale në territorin e Republikës së Shqipërisë, i duhet vendosur në dispozicion specialisit IT për t’i realizuar një back-up në NAS.
3. Materialet audio-vizuale, të cilat, gjenden në mediume me shirit magentik duhet të digjitalizohen dhe të ruhen në NAS.
4. Çdo material audio-vizual, i cili, gjendet në QKK, duhet ruajtur edhe në cloud-in e AKSHI.
5. Institucioni harton dhe zbaton planin e rimëkëmbjes nga katastrofat (Disaster Recovery Plan). Ky plan testohet të paktën një herë në vit, për të garantuar që të dhënat e ruajtura në NAS/Cloud mund të rikthehen plotësisht dhe shërbimet të rifillojnë brenda një kohe të pranueshme.
Neni 16
Ruajtja e privatësisë
Për ruajtjen e privatësisë së të dhënave, të përdoruesve të brendshëm të QKK-së, zbatohen dispozitat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, për dokumentin elektronik, për komunikimet elektronike, si dhe rregulloret në fuqi të miratuara nga Kryetari i QKK-së.
Neni 17
Trajnimet
1. Të gjithë nëpunësit e QKK-së janë të detyruar të ndjekin trajnimet e ASPA, të cilat, kanë të bëjnë me fushën e sigurisë.
2. QKK duhet të sigurojë një fond të veçantë, çdo vit buxhetor, lidhur me trajnime në fushën e TIK-ut për nëpunësit e administratës së saj.
3. Çdo fillim viti, specialisti IT i paraqet Kryetarit të QKK-së nevojat e tij për trajnim.
4. Specialisti IT realizon një pyetësor për nëpunësit e administratës së QKK-së në format elektronik, një herë në vit. Nëpunësit e QKK-së janë të detyruar t’a plotësojnë këtë formular. Pas plotësimit të formularëve, specialisti IT i paraqet Kryetarit të QKK-së planin vjetor të trajnimeve TIK për nëpunësit e administratës së QKK-së.
Neni 18
Buxheti dhe blerjet për TIK në QKK
1. Gjatë hartimit të buxhetit apo planifikimit të regjistrit të prokurimeve duhet të merret edhe mendimi i specialistit IT lidhur me nevojat e QKK-së në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
2. Për të vendosur lidhur me realizimin ose jo të investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë mblidhet grupi i punës i përhershëm, i formuar nga Kryetari nëpërmjet urdhrit me №249, të datës 13.11.2025, sipas rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Neni 19
Sanksionet
Çdo veprim ose mosveprim në kundërshtim me këtë rregullore, përbën kundravajtje administrative, si dhe ndiqet sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Neni 20
Dispozita kalimtare
1. Hartimi dhe realizimi i politikave të sigurisë, konfigurimet në server, fireëall, etj., si dhe zbatimi i nenit 9 §§ 1 dhe 3, të kësaj rregulloreje, do të realizohen/zbatohen nga specialisti IT vetëm pasi QKK-ja t’i blejë dhe t’i disponojë të tilla pajisje TIK.
2. Neni 14 § 3 i kësaj rregulloreje do të zbatohet pas realizimit të një marrëveshje ndërmjet QKK-së dhe AKSHI-it për përdorimin e cloud-it të kësaj të fundit për konservimin e materialeve audio-vizuale të QKK-së.
Neni 21
Hyrja në fuqi
Kjo rregullore hyn në fuqi më datë 1 janar 2026.