Adresa
Qendra Kombëtare e Kinematografisë
Rruga «Aleksandër Moisiu»,
№ 77, 1012, Kinostudio, Tiranë, Shqipëri
Kontakte
info@qkk.gov.al
++ 355 (0) 4 237 8004
Back

Nënshkruhet marrëveshja tri palëshe për rijetëzimin e kinemave publike kombëtare

Në edicionin e 9-të të Balkan Film Market 2025, përkrah profesionistëve të industrisë së filmit nga rajoni dhe Europa, u hodh sot një hap i rëndësishëm institucional për të ardhmen e kinemasë në Shqipëri, ku u formalizua bashkëpunimi mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Bashkisë Pogradec dhe Bashkisë Elbasan, me nënshkrimin e një marrëveshjeje tripalëshe për rijetëzimin dhe funksionimin e hapësirave kinematografike publike.

Kjo nismë shënon fillimin e ndërtimit të Rrjetit Kombëtar të Kinemave Publike, me synimin për ta rikthyer kinemanë në jetën e përditshme të qytetarëve, jo vetëm në qendrat e mëdha urbane, por edhe në komunitete lokale me potencial të madh kulturor e turistik.

Përmes këtij bashkëpunimi, sallat publike të kinemasë do të funksionojnë si pjesë e një rrjeti të koordinuar, me programacion të përbashkët dhe profesional, që vendos në qendër filmin shqiptar dhe filmin europian, duke afruar krijuesit me publikun dhe duke forcuar jetën kulturore, edukative dhe kreative në territore.

Kjo marrëveshje është një hap konkret drejt forcimit të infrastrukturës kulturore, zhvillimit të industrisë filmike vendase dhe shndërrimit të kinemasë publike në një shërbim kulturor të aksesueshëm, aktiv dhe të qëndrueshëm për komunitetin.