Adresa
Qendra Kombëtare e Kinematografisë
Rruga «Aleksandër Moisiu»,
№ 77, 1012, Kinostudio, Tiranë, Shqipëri
Kontakte
info@qkk.gov.al
++ 355 (0) 4 237 8004
Back

QKK nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë Mat

Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji dhe Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni, në praninë e zv.Kryeministres Albana Koçiu, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për rijetëzimin dhe funksionimin e hapësirave kinematografike publike

Marrëveshja synon modernizimin e këtyre hapësirave dhe zhvillimin e një programi të rregullt filmik e kulturor për komunitetin, duke vendosur në qendër bashkëpunimin institucional dhe angazhimin për rritjen e aksesit në artin filmik.

Në fokus është bashkëorganizimi i shfaqjeve filmike, aktiviteteve kulturore dhe edukimit artistik, në funksion të një jete kulturore më të pasur për qytetarët.

Sot, në kuadrin e javës së komunikimit publik mbi Integrimin Europian u shfaq filmi me metrazh të shkurtër Sheets (Çarçafët) (2022) i regjisores Evi Gjoni me skenar të Genc Përmetit dhe Sven Dagones, realizuar me mbështetjen e QKK, që trajtonte temën e historisë së një familjeje që përpiqet të mbijetojë në një sistem totalitar distopik. Ata gjenden papritur përballë një dileme të fortë morale: të raportojnë tek autoritetet shtypëse një familje emigrantësh që u kërkon ndihmë, apo të zgjedhin të ruajnë dinjitetin njerëzor, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e tyre. Është një përplasje e fuqishme mes instinktit bazik të vetmbrojtjes dhe humanizmit.

Ky film është vlerësuar me Çmime dhe Vlerësime, si:
• Trieste Film Festival: Çmimi i Publikut dhe Përmendje Speciale nga Juria.
• Athens Short Film Festival: Filmi më i mirë i shkurtër.
• Paris International Film Awards: Regjisorja më e mirë.
• Florence Film Awards: Filmi më i mirë narrativ i shkurtër (Best Narrative Short).
• Best Shorts Competition (SHBA): Award of Excellence.

Filmi dhe kinemaja janë tashmë një dritare e re drite e kulture në sallën e sapo rindërtuar që inauguruam, por së shpejti, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe të QKK, Mati do të ketë edhe rindërtimin e kinemasë së vjetër të qytetit, për të cilën sot u angazhuam përpara të ftuarve, në bashkëpunim me Bashkinë.