Adresa
Qendra Kombëtare e Kinematografisë
Rruga «Aleksandër Moisiu»,
№ 77, 1012, Kinostudio, Tiranë, Shqipëri
Kontakte
info@qkk.gov.al
++ 355 (0) 4 237 8004
Back

Rregullore e organizimit & funksionimit të KMP

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi dhe baza ligjore

1.1.Qëllimi

Qëllimi i kësaj Rregulloreje është përcaktimi i rregullave të organizimit dhe funksionimit të Këshillit Miratues të Projekteve pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, rregullave mbi krijimin dhe funksionimin e Këshillit Mirtaues të Projekteve, si dhe detyrave përkatëse.

1.2.Baza Ligjore

Kjo Rregullore mbështetet në ligjin nr. 8096, datë 21.03.1996 “Për Kinematografinë” (i ndryshuar), Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 602, datë 21.8.2003 “Për miratimin e Statutit të Qendrës Kombëtare Kinematografike” (i ndyshuar), Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 656, datë 31.10.2018 “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore” (i ndryshuar).

KREU II
STRUKTURAT PËRBËRËSE

Neni 2
Këshilli Miratues i Projekteve

1.Pranë QKK-së krijohet Këshilli Miratues i Projekteve.
2.Këshilli Miratues i Projekteve është organizëm i përkohshëm, jofunksional, jashtë strukturës administrative të QKK-së, i cili formohet me kandidatë të propozuar nga shoqatat e kineastëve të njohura nga QKK-ja. Këshilli Miratues i Projekteve gëzon autonomi të plotë për vlerësimin e projekteve kinematografike.
3.Këshilli Miratues i Projekteve ka mandat ligjor 2-vjeçar. Veprimtaria e tyre shpërblehet me honorar, sipas përcaktimit të bërë në aktet nënligjore në fuqi.

Neni 3
Krijimi i Këshillit Miratues të Projekteve dhe përbërja e tij

1.Procedura për krijimin e Këshillit Miratues të Projekteve fillon me njoftimin e bërë nga Kryetari i QKK-së.
2.Kineastët do të regjistrohen në një platformë digjiitale të krijuar nga QKK-ja, ku do të hedhin të dhënat e tyre.
3.Propozimet për anëtarë të Këshillit Miratues të Projekteve bëhen nga shoqatat e kineastëve, që ushtrojnë veprimtarinë konform ligjit nr. 8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, i ndryshuar, ligjit nr. 8096, datë 21.03.1996, “Për kinematografinë”, të ndryshuar dhe janë njohur nga QKK-ja.
4.Kandidatët e propozuar nga shoqatat e kineastëve duhet të jenë figura të shquara të kinematografisë dhe audiovizualit, me kontribut të veçantë në këto fusha, shtetas shqiptar dhe të huaj. Kandidatët e propozuar, duhet të jenë:
a.Skenaristë;
b.Regjisorë;
c.Producentë;
d.Aktorë;
e.Kritikë arti/Estetë/Filozofë.
5.Secila shoqatë e kineastëve propozon nga 2 (dy) anëtarë të Këshillit Miratues të Projekteve. Anëtarët e propozuar do të votohen nga kineastët nëpërmjet platformës. QKK miraton bordin e zgjedhur.
6.Në mbledhjet e Këshillit Miratues të Projekteve mund të marrë pjesë Kryetari i QKK-së dhe/ose anëtarët e tjerë të stafit të QKK-së, pa të drejtë vote.
7.Këshilli Miratues i Projekteve përbëhet nga 5 (pesë) deri 7 (shtatë) anëtarët më të votuar, sipas rastit.

Neni 4
Funksionimi i Këshillit Miratues të Projekteve

1.Detyra kryesore e Këshillit Miratues të Projekteve është vlerësimi i projekteve kinematografike nga pikëpamja artistike, si dhe përzgjedhja e projekteve mbi bazë meritokracie, duke garantuar përzgjedhjen e projekteve kinematografike që sigurojnë cilësinë, interesin kombëtar dhe që janë në përputhje me politikat e Institucionit.
2.Anëtarët e Këshillit Miratues të Projekteve mbajnë përgjegjësi ligjore për çdo vendim që marrin.
3.Mbledhjet e Këshillit Miratues të Projekteve kryhen me praninë fizike në ambientet e QKK-së dhe/ose në rrjet përmes videokonferencës sipas njoftimit për këtë qëllim.
4.Në mbledhjen e parë, anëtarët e Këshillit Miratues të Projekteve, kryejnë këto procedura:
a.zgjedhin Kryetarin e Këshillit Miratues të Projekteve me votim të hapur;
b.plotësojnë dhe nënshkruajnë:
i.deklaratën për shmangien e konfliktit të interesave në zbatim të dispozitave të Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.
ii.Deklaratën e konfidencialitetit;
iii.Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” (i ndryshuar);
5.Shqyrtojnë projekte kinematografike sipas rendit të ditës.
6.Kryetari i Këshillit Miratues të Projekteve drejton mbledhjen, garanton zbatimin e ligjshmërisë, zbatimin e rregullave të etikës në komunikim ndërmjet pjesëmarrësve në mbledhje, si dhe marrjen e vendimeve të drejta në përputhje me legjislacionin në fuqi.
7.Mbledhjet e Këshillit Miratues të Projekteve organizohen nga QKK. Mbledhjet thirren nga Kryetari i QKK-së në bazë të kalendarit të thirrjeve të projekteve dhe sa herë të jetë e nevojshme.
8.Kryetari i QKK, përcakton datën, vendin dhe mënyrën e zhvillimit të mbledhjeve me njoftim administrativ, duke i komunikuar anëtarëve edhe dokumentet përkatës lidhur me mbledhjen e planifikuar. Mbledhja mbahet jo më herët se 10 (dhjetë) ditë pas njoftimit, me përjashtim të rasteve emergjente.
9.Mbledhjet e Këshillit Miratues të Projekteve, janë të vlefshme kur marrin pjesë të paktën 2/3 e anëtarëve.
10.Këshilli Miratues i Projekteve propozon për miratim tek Kryetari i QKK, projektet më të votuara në bazë të sistemit të votimit me pikë me fletë votimi fizike ose digjitale, të veçantë. Fleta e votimit miratohet me vendim të posaçëm të Kryetarit të QKK-së.

Neni 5
Të drejtat e anëtarit të Këshillit Miratues të Projekteve

Anëtari/ja i/e Këshillit Miratues të Projekteve gëzon këto të drejta gjatë ushtrimit të mandatit:

1.Merr njoftim të rregullt për detajet si: data, vendi dhe rendi i ditës së mbledhjes që do të zhvillohet.
2.Shpreh mendimin e tij për çështjet që shtrohen për diskutim.
3.Shprehet me fletë votimi me pikë për secilin projekt që shqyrton, në pavarësi të plotë dhe me integritet profesional.
4.Disponon materialet e projekteve që do të shqyrtojë, të paktën 10 (dhjetë) ditë përpara datës së zhvillimit të mbledhjes.
5.Paguhet për pjesëmarrjen në mbledhje, sipas akteve nënligjore në fuqi.

Neni 6
Detyrat e anëtarit/es të Këshillit Miratues të Projekteve

Anëtari/ja i/e Këshillit Miratues të Projekteve ka këto detyrime gjatë ushtrimit të mandatit:
1.Merr pjesë rregullisht në mbledhjet e Këshillit Miratues të Projekteve.
2.Respekton rregullat e etikës të përcaktuara në Kodin e Sjelljes dhe Etikës së QKK-së në komunikim gjatë mbledhjeve të Këshillit Miratues të Projekteve, si dhe në vendimmarrjen e tij.
3.Dëshmon integritet dhe profesionalizëm në vendimmarrje.
4.Nënshkruan nën përgjegjësi të plotë deklaratën për shmangien e konfliktit të interesave në zbatim të dispozitave të Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar dhe njofton me shkrim Kryetarin e QKK, në rast se evidenton apo konstaton se vendimmarrja e tij përbën konflikt interesi.
5.Nënshkruan nën përgjegjësi të plotë deklaratën e konfidencialitetit para cdo mbledhje
5.Lexon dhe njeh në mënyrë të detajuar dokumentacionin e secilit projekt konkurues.
6.Sheh filmin/at paraardhës të regjisorit/es dhe të producentit/es aplikues/e, (për këtë qëllim në dokumentacionin e çdo projekti gjendet lidhje e filmit në Vimeo, shoqëruar me fjalëkalimin përkatës).
7.Nuk ka të drejtë të aplikojë, ose të jetë pjesë e projekteve konkuruese gjatë periudhës kohore 2 (dy) vjeçar të ushtrimit të mandatit si anëtar i Këshillit Miratues të Projekteve. Ky përcaktim është i vlefshëm edhe në rastin kur anëtari/ja i/e Këshillit Miratues të Projekteve jep dorëheqjen e parakohshme nga mandati i tij/saj.
8.Në rastin e përfundimit të parakohshëm të mandatit të një anëtari/e të Këshillit Miratues të Projekteve (pavarësisht nga arsyeja), anëtari/ja zëvendësues/e i/e nënshtrohet këtij rregulli, si dhe gëzon të gjitha të drejtat dhe detyrimet si anëtar/e i/e Këshillit Miratues të Projekteve, deri në përfundim të mandatit të Këshillit Miratues të Projekteve.
9.Në rast se verifikohet marrja e vendimeve në kushtet e konfliktit të interesave, QKK është e detyruar që të veprojë sipas përcaktimeve ligjore të parashikuara për këto raste.

Neni 7
Përfundimi i parakohshëm i mandatit

Anëtari/ja i/e Këshillit Miratues të Projekteve, largohet nga ky funksion përpara përfundimit të mandatit në rastet kur:
1.Jep dorëheqje me shkrim për arsye personale.
2.Bëhet i paaftë për arsye shëndetësore.
3.Vërtetohet, nga institucionet kompetente, se ka marrë vendim, në kushtet e konfliktit të interesave.
4.Kryen veprime që janë në kundërshtim me përcaktimet e bëra në Kodin e Sjelljes dhe Etikës së QKK, të cilat pengojnë mbarëvajtjen dhe zhvillimin normal të mbledhjeve të Këshillit Miratues të Projekteve.
5.Dënohet nga gjykata me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
6.Nuk merr pjesë në 2 (dy) mbledhje të njëpasnjëshme

KREU III
PËRZGJEDHJA PËR FINANCIM E PROJEKTEVE KINEMATOGRAFIKE

Neni 8
Përzgjedhja e projekteve nga Këshilli Miratues i Projekteve

Përzgjedhja e projekteve nga Këshillit Miratues të Projekteve kryhen sipas fazave në vijim:

Faza 1 – Prezantimi i projektit nga aplikantët (pitching)
Projekti prezantohet nga aplikantët para Këshillit Miratues të Projekteve. Prezantimi zgjat deri në 10 (dhjetë) minuta për secilin projekt dhe zhvillimi i kësaj faze është i detyrueshëm.
Faza 2 – Vlerësimi i projekteve nga anëtarët e Këshillit Miratues të Projekteve
Gjatë fazës së vlerësimit të projekteve, mund të marrë pjesë Kryetari i QKK-së dhe/ose anëtar e stafit të QKK-së. Në rast se shihet e nevojshme në këtë fazë mund të thërriten specialistë të QKK, për të raportuar rreth çështjeve financiare dhe juridike. Për secilin projekt çdo anëtar i Këshillit Miratues të Projekteve plotëson fletën e votimit (fizike ose dixhitale).
Faza 3 – Votimi i projekteve nga anëtarët e Këshillit Miratues të Projekteve
Secili anëtar i Këshillit Miratues të Projekteve plotëson individualisht fletën e votimit fizike ose digjitale, për secilin projekt të shqyrtuar, duke shprehur vlerësimin e tij/saj profesional për projektin lidhur me këta elementë kryesor: skenar, regji dhe produksion si dhe duke vlerësuar eksperiencën e producentit dhe autorëve.
Faza 4 – Përzgjedhja e projekteve më të votuara, të cilat i propozohen Kryetarit të QKK
Dokumenti përfundimtar, vendimi i mbledhjes së Këshillit Miratues të Projekteve, përcakton klasifikimin e projekteve dhe masën e financimit të tyre, bazuar në raportin e vlerësimit të Komisionit Financiar. Në fund vendimi nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e Këshillit Miratues të Projekteve.

Neni 9
Procesi i votimit

1.Anëtari/ja i/e Këshillit Miratues të Projekteve, pasi njihet me projektin e paraqitur për aplikim dhe pas përfundimit të prezantimit të projektit ditën e mbledhjes, plotëson individualisht fletën e votimit fizike ose në rrjet, për secilin projekt të shqyrtuar, duke shprehur vlerësimin e tij/saj profesional për projektin lidhur me këta elementë kryesor: skenar, regji dhe produksion si dhe duke vlerësuar eksperiencën e producentit dhe autorëve.
2.Në përfundim të votimit, fletët e votimit administrohen në praninë e Këshillit Miratues të Projekteve nga juristi i QKK-së, i cili kontrollon dhe verifikon anën formale të plotësimit të fletëve të votimit (plotësimi i secilit komponent të fletës së votimit, nënshkrimi i saj, etj).
3.Në prezencë të anëtarëve të Këshillit Miratues të Projekteve, Përfaqësues të QKK komunikojnë me zë të lartë rezultatet e votimit dhe bazuar në totalin e pikëve të grumbulluara bëhet renditja, nga projekti me pikët maksimale, deri tek projekti me pikët minimale.
4.Anëtarët e Këshillit Miratues të Projekteve nënshkruajnë proces-verbalin dhe vendimin përfundimtar të mbledhjes.
5.Kryetari i QKK, në konsultim me Grupin e Menaxhimit Strategjik të QKK (GMS), vendos për numrin e projekteve që do të përfitojnë mbështetjen financiare. Vendimmarrja bazohet në këto kritere:
a.Garancitë e suksesit të projekteve të vlerësuara me pikët më të larta;
b.Fondet që QKK-ja ka në dispozicion për financimin e projekteve në konkurim.
6.Këshillit Miratues të Projekteve, në vendimin e tij, krahas titullit dhe të dhënave të secilit projekt, përcakton masën e financimit të tij, bazuar në ekspertizën e bërë nga Komisioni Financiar.
7.Vendimi i Këshillit Miratues të Projekteve dhe Kryetarit të QKK-së publikohen në faqen zyrtare të internetit të QKK-së dhe në Buletinin Zyrtar.
8.Drejtoria e Projekteve ka detyrimin t’i përcjellë producentëve të projekteve të papërzgjedhura, informacion lidhur me:
i.Rezultatin e vlersimit;
ii.Vlerën e financimit.

Neni 10
Shpërblimi Financiar

1.Shpërblimi financiar i anëtarve të Këshillit Miratues të Projekteve bëhet në bazë të Vendimit Nr. 656, Datë 31.10.2018 “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLAVE, BORDEVE OSE KOMISIONEVE TË PËRHERSHME TË NJËSIVE TË QEVERISJES QENDRORE” (ndryshuar me vkm nr. 559, datë 31.7.2019, nr. 612, datë 29.7.2020, nr. 901, datë 18.11.2020; nr. 322, datë 2.6.2021; nr. 153, datë 11.3.2022; nr. 329, datë 18.5.2022; nr.611, datë 22.9.2022).

KREU IV
HYRJA NË FUQI

1.Kjo rregullore hyn në fuqi datën e nënshkrimit të saj, dhe botohet në Buletinin Zyrtar të Kinematografisë.