Më 02 prill 2026, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) organizoi në Tiranë sesionin e parë informues në kuadër të projektit FRAME – Fostering Regional Advancement and Market Expansion of Audiovisual SMEs in the South Adriatic, duke prezantuar mundësi të reja për profesionistët e sektorit audiovizual në rajon.
Sesioni u fokusua në “Thirrjen e Hapur – Fondi për Bashkë-Zhvillim Filmi në Adriatikun e Jugut”, duke vënë në pah mundësitë konkrete të financimit për bashkëprodhim ndërkombëtar dhe zhvillimin e projekteve audiovizuale cilësore. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues nga sektori i kulturës dhe industrisë së filmit, të cilët u njohën nga afër me prioritetet e thirrjes, kriteret e pranueshmërisë dhe procedurat e aplikimit.
Sektori audiovizual në Adriatikun e Jugut përballet me sfida të lidhura me bashkëpunimin e kufizuar ndërkufitar, fragmentimin e tregjeve dhe aksesin e kufizuar në financim për iniciativa bashkë-zhvillimi. Këto pengesa ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen dhe konkurrueshmërinë ndërkombëtare të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në këtë sektor.
Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, projekti FRAME promovon bashkëpunimin rajonal të strukturuar dhe prezanton mekanizma të dedikuar financiarë, si Fondi i Bashkë-Zhvillimit, me synim nxitjen e partneriteteve ndërmjet vendeve të BE-së dhe IPA, rritjen e potencialit krijues dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Nëpërmjet kësaj nisme, pritet që të paktën tetë projekte audiovizuale të përfitojnë mbështetje për bashkë-zhvillim, duke forcuar bashkëpunimin rajonal, rritur cilësinë e prodhimeve dhe promovuar Adriatikun e Jugut si një destinacion tërheqës për prodhime filmike.
Projekti FRAME financohet nga programi Interreg IPA South Adriatic dhe zbatohet nga një partneritet rajonal i përbërë nga Apulia Film Commission (Itali) si partner lider, Qendra e Filmit e Malit të Zi, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (Shqipëri) dhe Fondazione Molise Cultura (Itali).
Oficere Komunikimi FRAME – Qendra Kombëtare e Kinematografisë
Majlinda Tafa
+355 68 269 0641
majlinda.tafa@qkk.gov.al
Programi Interreg IPA South Adriatic 2021–2027 është një program bashkëpunimi ndërkufitar i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA III), me një buxhet total prej 81,258,768.19 euro(duke përfshirë 17.51% bashkëfinancim). Ky program ndërtohet gjerësisht mbi rezultatet e programit të mëparshëm Interreg IPA CBC Itali–Shqipëri–Mal i Zi 2014–2020.
Programi menaxhohet nga Rajoni i Pulias, i cili merr pjesë së bashku me një tjetër rajon italian, Molise, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi marrin pjesë me të gjithë territorin e tyre. Objektivi i tij është të promovojë një Adriatik të Jugut më inteligjent, më të gjelbër, më të ndërlidhur, më social dhe më mirë të qeverisur, si dhe të forcojë bashkëpunimin në këtë zonë përmes zbatimit të veprimeve të përbashkëta ndërmjet institucioneve kombëtare dhe rajonale, si dhe aktorëve jofitimprurës, duke nxitur një zhvillim të zgjuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.







