Adresa
Qendra Kombëtare e Kinematografisë
Rruga «Aleksandër Moisiu»,
№ 77, 1012, Kinostudio, Tiranë, Shqipëri
Kontakte
info@qkk.gov.al
++ 355 (0) 4 237 8004
Back

“FILM I SHTETIT”, nga Roland Sejko, është propozimi i Shqipërisë për Çmimet Oscar® 2027

“FILM I SHTETIT” (Film di Stato) nga Roland Sejko, është propozimi zyrtar i Shqipërisë për edicionin e 99-të të Çmimeve Oscar®, në kategorinë “International Feature Film”.

Roland Sejko, dokumentaristi i suksesshëm shqiptar, që punon mes Italisë dhe Shqipërisë, sjell një qasje të veçantë mbi Shqipërinë komuniste.

Në 78 minuta, 40 vjet të regjimit komunist shqiptar të Enver Hoxhës nëpërmjet imazheve që vetë pushteti prodhoi për të lartësuar veten. Duke shmangur elementët sugjestivë të gjuhës filmike propagandistike, filmi i le imazheve forcën për të rrëfyer historinë. Pa asnjë koment, vetëm me imazhe dhe montazh, “FILM I SHTETIT” përdor arkivën filmike si dëshmitar neutral të së kaluarës.

Filmi pati premierën botërore në seksionin Notti Veneziane të Giornate degli Autori, në kuadër të Festivalit të 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia dhe është prodhuar nga Cinecittà.

Rreth Roland Sejkos

Lindur dhe rritur në Shqipëri, Roland Sejko punon prej vitit 1995 pranë Istituto Luce, më pas Cinecittà, ku aktualisht mban detyrën e drejtorit editorial të Arkivit Historik Luce. Ai është skenarist dhe regjisor i disa filmave dokumentarë, shumë prej të cilëve eksplorojnë ripërdorimin krijues të materialeve filmike arkivore.

Filmat e tij janë vlerësuar me disa nga çmimet më të rëndësishme në Itali. Dokumentari “Anija” fitoi në vitin 2013 çmimin David di Donatello, për dokumentarin më të mirë. “La macchina delle immagini di Alfredo C.”, i prezantuar në seksionin Orizzonti Extra të Festivalit të 78-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, u nderua në vitin 2021 me Nastro d’Argento, çmimin e gazetarëve kritikë të kinemasë italiane, për dokufilmin më të mirë.