Adresa
Qendra Kombëtare e Kinematografisë
Rruga «Aleksandër Moisiu»,
№ 77, 1012, Kinostudio, Tiranë, Shqipëri
Kontakte
info@qkk.gov.al
++ 355 (0) 4 237 8004
Back

Shpallet thirrja për kandidaturën shqiptare në kategorinë «International Feature Film»

Edicioni i 99 i Çmimeve OSCAR®

Qendra Kombëtare e Kinematografisë fton të gjitha shtëpitë kinematografike/producentët të paraqesin filmat e tyre, për t’u marrë në konsideratë, si propozim zyrtar i Shqipërisë në kategorinë «International Feature Film», për edicionin e 99 të çmimeve OSCAR®.

Afati i fundit për shprehje interesi pranë QKK-së, është data 31 gusht 2026.

Kriteret kryesore për pjesëmarrje në këtë kategori janë:

  1. Filmat artistikë, dokumentarë dhe të animuar të prodhuar jashtë SHBA.
  2. Filmi ka kohëzgjatje mbi 40 minuta.
  3. Filmi duhet të përmbajë mbi 50% dialog në një gjuhë të ndryshme nga anglishtja.
  4. Kontrolli krijues i filmit duhet të ketë qenë kryesisht në duart e shtetasve, rezidentëve, ose personave me status refugjati/azili në Shqipëri.
  5. Filmi duhet të ketë pasur ose të ketë një shfaqje komerciale në kinematë e Shqipërisë: (a) për të paktën 7 ditë rresht – në të njëjtën sallë dhe (b) brenda datave 1 tetor 2025 – 30 shtator 2026.

Procedura e aplikimit në QKK

Shtëpitë Kinematografike të interesuara duhet të dërgojnë informacionin e mëposhtëm në adresën e emailit: majlinda.tafa@qkk.gov.al / info@qkk.gov.al brenda datës 31 gusht 2026:

  1. Kërkesë për t’u konsideruar si kandidatura shqiptare në kategorinë «International Feature Film», në edicionin e 99 të çmimeve OSCAR®.
  2. Një deklaratë që liston plotësimin e kritereve të përcaktuara nga AMPAS për kategorinë «International Feature Film».
  3. Listën e plotë të aktorëve dhe ekipit kryesor artistik (drejtuesit e departamenteve) me shtetësinë (përcaktuar nga pasaporta që kanë).
  4. URL (link) i filmit, së bashku me fjalëkalimin (për përdorim të QKK). Kopja duhet të jetë me rezolucion të lartë.

Rregulloret e përgjithshme dhe të kategorisë në veçanti, të përcaktuara nga «Academy of Motion Picture Arts and Sciences», për edicionin e 99, i gjeni në këto URL:

Komisioni Përzgjedhës

Komisioni Përzgjedhës për filmin përfaqësues të Shqipërisë në kategorinë “International Feature Film”, të edicionit të 99 të çmimeve OSCAR®, përbëhet nga:

Z. Jonid Jorgji – kryetar i QKK (Kryetar i Komisionit)
Znj. Diana Çuli – Anëtare
Z. Bujar Kapexhiu – Anëtar
Z. Edmond Budina – Anëtar
Z. Namik Ajazi – Anëtar
Z. Ben Andoni – Anëtar

Komisioni përzgjedhës i kandidaturës shqiptare, për edicionin e 99 të OSCAR, i ngritur pranë QKK-së, ka për detyrë:

  • Të shikojë filmat, të cilët, janë paraqitur për t’u marrë në konsideratë, pasi ata të jenë kontrolluar nga QKK për përmbushjen e kritereve.
  • Anëtarët e Komisionit diskutojnë në mënyrë të hapur për filmat që merren në konsideratë për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë edicion.
  • Secili anëtar i Komisionit voton vetëm për filmin që mendon se duhet të jetë kandidatura e Shqipërisë.
  • Secili anëtar i Komisionit voton në fletën vetjake të votimit në mënyrë të fshehtë. (Fleta e votimit përgatitet nga QKK me udhëzimet përkatëse dhe me listën e filmave që kanë aplikuar.)
  • Votat mblidhen dhe filmi, i cili ka shumicën e votave përzgjidhet si kandidatura shqiptare.

Komisioni i Përzgjedhjes, i miratuar nga Academy of Motion Picture Arts and Sciences (A.M.P.A.S.®), do të vlerësojë kandidaturat dhe do të shpallë filmin fitues që do të përfaqësojë Shqipërinë.

Detyrimet e Filmit të përzgjedhur nga Komisioni i QKK

Në rast përzgjedhjeje nga Komisioni i QKK, producenti i filmit duhet të dorëzojë materialet në zyrat e A.M.P.A.S.® jo më vonë se data 30 shtator 2026, ora 17:00 (ora lokale).

Lista e materialeve, që dërgohen nga producenti i filmit, është:

  • Formulari i aplikimit, i plotësuar online
  • Kopje DCP të filmit ose Link me versionin digjital të subtitruar anglisht për shfaqje.
  • URL (link) me fjalëkalim i filmit, për të kontrolluar dialogjet-[Për përdorim të brendshëm].
  • Listë e plotë e aktorëve dhe listë e plotë e krediteve.
  • Biografi dhe fotografi e regjisorit.
  • Një kuadër nga filmi, i përcaktuar si imazh për përfaqësimin e filmit online.
  • Një poster i përdorur për shfaqjen e filmit në kinema (për arkivë).
  • Provë mbi shfaqjen e filmit në kinema, sikurse tregohet në rregullat e mësipërme, duke përfshirë edhe shfaqje me qëllim reklamues, por jo vetëm.

Lista e hollësishme me materialet e kërkuara dhe karakteristikat teknike gjenden këtu: https://www.oscars.org/sites/oscars/files/2026-05/99AA_International%20Feature%20Checklist.pdf?VersionId=HNN3Xjgv1WiHny6lQrOqBf6QAdedkaH5

Kontakt

Majlinda Tafa
Përgjegjëse e Sektorit të Promovimit
Majlinda.Tafa@qkk.gov.al