



Inovacion, financim, vendimmarrje e përbashkët dhe edukim për industrinë audiovizuale
Pas një viti pune dhe konsultimesh, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) prezantoi, në një konferencë për shtyp, drejtimet kryesore të projektligjit të ri “Për Kinematografinë dhe Audiovizualin”. Nisma synon modernizimin e kuadrit ligjor të vitit 1996 dhe zgjerimin e mbështetjes për industrinë audiovizuale shqiptare përtej filmit tradicional, duke përfshirë serialet, videolojërat dhe veprat imersive, si dhe duke nxitur vendimmarrjen e përbashkët me komunitetin e kineastëve.
“Në konsultim edhe me komunitetin, do të shohim se ku do të investohemi më tepër. Në ligjin aktual kemi parashikuar që 70% e buxhetit të shkojë për kinematografinë, pra për filmin autor, që duam ta rrisim dhe fuqizojmë, dhe 30% e buxhetit për sektorin audiovizual, ku përfshihen serialet, videolojërat dhe produktet imersive.”- u shpreh Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, z. Jonid Jorgji.
Ndër risitë e propozuara janë incentivat financiare përmes një skeme rimbursimi deri në 35% të shpenzimeve të kualifikuara të kryera në Shqipëri nga produksionet shqiptare dhe të huaja. Mekanizmi synon të nxisë bashkëprodhimet, të tërheqë produksione ndërkombëtare dhe të gjenerojë përfitime në turizëm, punësim dhe ekonomi.
Kryetari i QKK-së, z. Jorgji, sqaroi se: “Rimbursimi është një term që artikulohet në të gjithë botën. Për fat të keq, në rajon ne jemi të fundit, por nuk jemi kurrë vonë dhe jemi pikërisht në momentin e duhur, kur edhe interesi për ta parë Shqipërinë si lokacion filmi është rritur. Cash rebate, ose ndryshe rimbursimi me një vlerë prej 35% që ne sot propozojmë, shkon drejtpërdrejt te kompanitë shqiptare që bashkëprodhojnë me kompani të huaja në Shqipëri, por edhe për projekte lokale. Ai fuqizon industrinë, sjell produksione shqiptare dhe të huaja në vendin tonë dhe krijon ndikim në turizëm, vende pune, rritjen e kapaciteteve dhe ekonomi.”
Në konferencë ishte e pranishme edhe Lira Pipa, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), e cila theksoi rëndësinë e bashkërendimit me Komisionin Europian për hartimin e kuadrit të ri ligjor dhe zbatimin e mekanizmave financiarë.
“Ky ligj nuk është vetëm një ligj i kërkuar shprehimisht për sektorët që mbulojmë dhe që janë sot në fushat e interesit të kësaj ministrie, pra Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, por duhet të bashkërendojmë patjetër edhe me Komisionin Europian. Është një proces mjaft kompleks i kuadrit ligjor, sepse përfshin edhe mekanizma që lidhen me antikorrupsionin dhe pastrimin e parave. Por këto incentiva janë të domosdoshme dhe janë parashikuar edhe në Strategjinë Kombëtare të Kulturës, të cilën e kemi miratuar në korrik.”
Projektligji parashikon gjithashtu një Program Kombëtar katërvjeçar, zgjerimin e kategorive të financimit dhe mbështetjen për edukimin profesional përmes bursave dhe shkëmbimit të përvojave. Synimi është zhvillimi i një industrie audiovizuale me ndikim kulturor dhe ekonomik, si dhe forcimi i rolit të filmit shqiptar në promovimin e kulturës dhe turizmit të vendit në arenën ndërkombëtare