
Këto ditë, qyteti i Durrësit është shndërruar në një nga pikat kyçe të zhvillimit të kinemasë evropiane, duke pritur një ndër laboratorët më elitarë të skenarit në kontinent: Equinox.
Me një histori mbi 30-vjeçare, gjatë së cilës janë përpunuar skenaret e disa prej filmave më të famshëm dhe më të suksesshëm të dekadave të fundit, ky program i njohur ndërkombëtarisht vjen për herë të parë në Shqipëri. Kjo arritje e rëndësishme vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK).
Në fokus të edicionit të këtij viti janë projekte filmike shumë premtuese nga e gjithë Evropa, ku spikasin edhe dy projekte nga Shqipëria, të firmosura nga regjisorët e rinj me perspektivë të shkëlqyer, Erenik Beqiri dhe Redi Treni.
Për disa ditë me radhë, rreth 10 konsulentë profesionistë të skenarit nga e gjithë bota po punojnë ngushtë me autorët e rinj. Qëllimi është përmirsimi, thellimi dhe adaptimi i skenareve të tyre, për t’i përgatitur ato për standardet e prodhimeve të ardhshme kinematografike ndërkombëtare.
Sjellja e një programi të tillë në Shqipëri dëshmon qartë vizionin e QKK-së dhe politikat e reja të ndjekura së fundmi. Përmes hapjes drejt tregut dhe industrisë ndërkombëtare dhe vënies së theksit tek edukimi. Sot po nxiten programe që synojnë rritjen e cilësisë artistike të projekteve shqiptare, por edhe krijimin e mundësive të vlefshme të rrjetëzimit (networking) për kineastët tanë.
Këto politika zhvillimore dhe strategjike nuk janë thjesht nisma të izoluara, por tashmë janë reflektuar qartësisht edhe në projektligjin e ri të kinematografisë dhe audiovizualit, duke shënuar një hap historik drejt modernizimit dhe integrimit të plotë të kinemasë shqiptare në tregun global.







