Në edicionin e sivjetshëm të festivalit ndërkombëtar DokuFest në Prizren, i cili shënon edhe 25-vjetorin e tij, në kuadër të platformës profesionale Short Film Forum, dhe në bazë të një memorandumi bashkëpunimi nënshkruar mes dy institucioneve tona, (QKK dhe DokuFest), kinematografia shqiptare përfaqësohet me dy projekte kinematografike që mbajnë me vete peshë të lartë artistike, tematike dhe emocionale.
Këta dy projekte filmikë sjellin në vëmendje histori njerëzore të ndjeshme dhe të thella:
“Korridoret e Pritjes” (Corridors of Hope and Fear)
Regjia: Adrian Guri
Producentë: Ajola Daja, Adrian Guri (AR Production & AM-Production)
Zhanri: (Fiction)
Një dramë intime e vendosur në korridoret e një spitali pediatrik. Filmi rrëfen përballjen e dy nënave me ankthin, pasigurinë dhe pezulltinë e nderë gjatë trajtimit mjekësor të fëmijëve të tyre. I frymëzuar nga ngjarje reale, projekti trajton me delikatesë sprovat e prindërimit, cënueshmërinë dhe lidhjet e brishta njerëzore përballë mundësisë së humbjes.
“Silent Return”
Regjia: Dionis Prifti
Producentë: Genc Përmeti (Ska-Ndal Productions)
Zhanri:(Fiction)
Me ngjarjet e vendosura në Shqipërinë komuniste të vitit 1986, filmi ndjek historinë e Nestit, i cili pajiset me një leje të rrallë për të udhëtuar në Greqi. Pasi përballet me frymën e lirisë jashtë kufijve, kthimi i tij në atdhe shoqërohet me kontroll absurd në kufi, censurë dhe konfiskim të çdo gjurme nga bota e jashtme. Filmi është një eksplorim i thellë mbi frikën, survejimin e regjimit dhe detyrimin për të jetuar në heshtje.
Pjesëmarrja e këtyre projekteve në platforma të tilla rajonale e ndërkombëtare dëshmon potencialin e lartë krijues dhe pjekurinë artistike të kineastëve tanë.
U urojmë suksese të mëtejshme ekipeve realizuese në zhvillimin dhe jetësimin e këtyre veprave në ekranin e madh!




