Adresa
Qendra Kombëtare e Kinematografisë
Rruga «Aleksandër Moisiu»,
№ 77, 1012, Kinostudio, Tiranë, Shqipëri
Kontakte
info@qkk.gov.al
++ 355 (0) 4 237 8004
Back

QKK shpall epokën e re të kinemasë: Fillon programi i parë i internshipeve për kineastët e rinj dhe lajmërohet ndërtimi i studiove të reja filmike

Gjatë eventit të rëndësishëm kulturor “Muse-X”, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) ka shënuar një moment historik për të ardhmen e industrisë së filmit në Shqipëri. Kryetari i QKK-së, z. Jonid Jorgji, në prani të Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, z. Blendi Gonxhja, prezantoi dy zhvillime madhore që do të transformojnë rrënjësisht peizazhin kinematografik vendas.

Nën vizionin dhe sloganin “Albanian Film Industry, Work in Progress”, u njoftua nisja e programit të parë të mirëfilltë të internshipeve dedikuar kineastëve të rinj dhe studentëve të arteve, paralelisht me lajmin e shumëpritur për projektimin dhe ndërtimin e një zone të re të dedikuar me studio filmike, e cila do të shërbejë si motori kryesor i zhvillimit të kësaj industrie.

Internshipe dhe mundësi reale për studentët Përmes kësaj nisme të re edukimi dhe integrimi, QKK vendos një standard të ri për mbështetjen e talenteve. Tashmë, çdo produksion filmi i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të ketë detyrimin që, përkrah profesionistëve me përvojë të industrisë, të përfshijë në stafin e tij realizues edhe kineastë të rinj që janë pjesë e këtij programi. Kjo përvojë e drejtpërdrejtë në sheshxhirim do të shkojë përtej praktikës bazë: kreditet e fituara gjatë punës në terren do t’u njihen zyrtarisht studentëve edhe në vlerësimin e tyre universitar.

Për më tepër, vizioni i këtij programi i kalon kufijtë kombëtarë. Internshipi do të shtrihet edhe në produksione të huaja të rëndësishme, duke mbuluar një hartë mundësish nga Evropa deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. QKK aktualisht po shqyrton dhe zgjeron mundësitë e bashkëpunimeve të ngushta me kompanitë më të mëdha të filmit në botë, me qëllim që të rinjtë shqiptarë të fitojnë eksperiencë profesionale të standardeve më të larta globale.

Infrastrukturë moderne: Zona e re e studiove filmike Me mbështetjen e plotë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, lajmi për ndërtimin e kompleksit të ri të studiove filmike shënon një kthesë për infrastrukturën kulturore të vendit. Ky projekt madhor synon ta kthejë Shqipërinë në një shesh xhirimi të madh dhe modern.

Krijimi i kësaj zone jo vetëm që do të plotësojë nevojën thelbësore për hapësira profesionale për krijuesit vendas, por do të shërbejë si një pol tërheqës për produksionet ndërkombëtare. Të dyja këto hapa konkretë i shërbejnë drejtpërdrejt strategjisë së QKK-së për fuqizimin dhe rivitalizimin e kinematografisë shqiptare, duke e shndërruar përfundimisht atë në një potencial të vërtetë ekonomik dhe kulturor për vendin.