Adresa
Qendra Kombëtare e Kinematografisë
Rruga «Aleksandër Moisiu»,
№ 77, 1012, Kinostudio, Tiranë, Shqipëri
Kontakte
info@qkk.gov.al
++ 355 (0) 4 237 8004
Back

Rijetëzimi i kinemasë së Pogradecit

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në edicionin e 9-të të Balkan Film Market 2025, mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Bashkisë Pogradec për rijetëzimin e hapësirave kinematografike publike, së shpejti nis puna për zbatimin konkret të këtij projekti të rëndësishëm për qytetin. Përmes këtij investimi do të realizohet rikonstruksioni dhe modernizimi i godinës së kinemasë, pajisja e saj me infrastrukturën teknike të nevojshme për shfaqje bashkëkohore, përmirësimi i ambienteve dhe sinjalistikës, si dhe integrimi i saj në Rrjetin Kombëtar të Kinemave Publike. Njëkohësisht, kinemaja do të përfitojë programacion të rregullt me filma shqiptarë, europianë dhe ndërkombëtarë, aktivitete promovuese, takime me krijues dhe projekte edukative për të rinjtë, duke e kthyer këtë hapësirë në një qendër të gjallë kulturore që pasuron jetën artistike të qytetit dhe krijon mundësi të reja për publikun e çdo moshe.

Për dekada me radhë, kjo kinema nuk ka qenë thjesht një sallë filmi, por zemra e jetës kulturore të qytetit. Është vendi ku janë ndarë emocione, të qeshura dhe kujtime të paharrueshme për shumë breza pogradecarësh. Rikthimi i saj do t’i japë qytetit një hapësirë moderne, duke ruajtur të paprekur shpirtin dhe historinë e saj të çmuar.