Në Bruksel u mbajt mbledhja e radhës e Komitetit për Programin «Evropa Krijuese» (Creative Europe), ku Shqipëria u përfaqësua nga Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, z. Jonid Jorgji, në cilësinë e anëtarit të këtij Komiteti.
Fokus i veçantë në këtë takim iu kushtua programit të ri të punës për vitin 2027, i cili shënon edhe përmbylljen e ciklit të programit Creative Europe 2021-2027.
Për sektorin audiovizual (Nën-programi MEDIA), u diskutuan prioritetet e reja që synojnë të rrisin konkurrueshmërinë dhe inovacionin, ku theksi u vendos tek:
Vazhdimi i mbështetjes për të forcuar kapacitetet e industrisë audiovizuale evropiane në zhvillimin, prodhimin dhe qarkullimin e veprave të larmishme evropiane.
Përshtatja me zhvillimet e reja teknologjike, duke përfshirë Inteligjencën Artificiale dhe përmbajtjen “immersive” , për të nxitur ndërveprimin e përmbajtjes në internet.
Futja e masave të reja për mbështetjen e shpërndarjes së filmave.
Krijimi i masave mbështetëse për të nxitur bashkëpunimin mes përfaqësuesve të industrisë evropiane dhe asaj koreane, në kuadër të marrëveshjeve për bashkëprodhime.
Përdorimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i mjetit «MEDIA Carbon Calculator», i cili ndihmon producentët audiovizualë të llogarisin dhe të reduktojnë gjurmën e karbonit në prodhimet e tyre, në përputhje me tranzicionin e gjelbër evropian.
Z.Jorgji ngriti propozimin për krijimin e një mekanizmi të posaçëm për financimin e projekteve audiovizuale brënda programit Media ku vëndet kandidate të konkurojnë mes tyre në kushte të barabarta dhe me asistencën e vazhdueshme të Media Desk-ëve të vëndeve përkatës. Kjo nisëm ndihmon që tregu ynë audiovizual të ecë me të njëjtin hap drejt inovacionit, mundësive të reja dhe rritjes së kapaciteteve në një hapësirë të përbashkët evropiane.






