EKSPOZITË E AFISHEVE ORIGJINALE: ARTI DHE DIZAJNI I FILMIT SHQIPTAR – VEPRA TË PËRZGJEDHURA NGA VITET E KINOSTUDIOS
14 Prill 2016
14 Prill 2016
Galeria Kombëtare e Arteve dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ju ftojnë më 14 Prill ora 19.00, në hapjen e ekspozitës “Arti dhe dizajni i filmit shqiptar – Vepra të përzgjedhura nga vitet e Kinostudios”.
Ekspozita do të shfaqë mbi 100 afishe origjinale të formatit të plotë dhe standartit industrial të filmit artistik, dokumentar dhe vizatimor shqiptar, skica dhe bocete kostumografie si dhe programe premierash filmi nga Kinostudio “Shqipëria e Re” (1952 – 1992). Prodhuar nga Galeria Kombëtare e Arteve në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shqiptar të Filmit (AQSHF), Universitetin e Arteve, Tiranë dhe kuruar nga kineasti shqiptaro-amerikan Thomas Logoreci, kjo ekspozitë e një lloji të veçantë do të paraqesë një përzgjedhje të rrallë afishesh filmi (disa të pikturuara me dorë), që rrallë janë parë nga publiku, që nga shfaqja e parë e filmit. Edhe pse ka me dhjetra afishe të tjera të jashtëzakonshme të filmit shqiptar në arkivën e AQSHF, theksi në këtë ekspozitë do të jenë veprat e artit të punuara me dorë, dhe jo prej fotografive.
E konceptuar për të nxjerrë në pah trashëgiminë jashtëzakonisht të pasur, por shpesh të harruar të filmit shqiptar kjo ekspozitë sjell përpara publikut disa nga veprat më të arrira të krijuara ndër vite në Kinostudio, nga piktorë filmi dhe artistë të talentuar si Sali Allmuça, Ksenofon Dilo, Myrteza Fushekati, Azis Karalliu, Bujar Luca, Kleo Nini, Namik Prizreni, Alush Shima, Astrit Tota, Dhimitër Theodhori dhe Shyqyri Sako.
Pjesë e kësaj ekspozite të veçantë është edhe një dokumentar i gjatë nga kritiku irlandez dhe regjisori Mark Cousins. Titulluar HERE BE DRAGONS (KËTU KA DRAGOJ), kjo ese filmike tregon udhëtimin në Shqipëri të regjisorit Cousins në vitin 2012, duke marrë në fokus rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë filmike të Shqipërisë – një sfidë e madhe për arkivën e filmit shqiptar gjatë dekadës së ardhshme. Shpresa e sinqertë e Galerisë Kombëtare të Arteve, AQSHF, Universitetit të Arteve dhe kuratorit, është se kjo ekspozitë unike e afishes së ilustruar të filmit shqiptar do të njohë publikun, shqiptar dhe ndërkombëtar, me një materie të gjallë e të jashtëzakonshme të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri.
Konferenca për shtyp do të mbahet në Galerinë Kombëtare të Arteve të enjten, 14 prill 2016, ora 11:00.
Për publikun e gjerë ekspozita do të jetë e hapur nga e premtja, 15 prill 2016.