Ligji për Kinematografinë

In English

LIGJ
me № 8096, datë 21.03.1996,
Për Kinematografinë

ndryshuar nëpërmjet Ligjit me № 9353, datës 03.03.2005,
«Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.8096, datë 21.03.1996, “për Kinematografinë”»

Në mbështetje të Nenit 16 të Ligjit №7491, datë 29.4.1991, «Për dispozitat kryesore kushtetuese», me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1
Dispozita të përgjithshme

Ky ligj përcakton bazat dhe parimet e organizimit, drejtimit dhe zhvillimit të kinematografisë (si forma e të shprehurit artistik) dhe mbështetjen ekonomike nga shteti.

Neni 2

Për efektet e këtij ligji bëhen këto përkufizime:
– Film quhet prodhimi audovizual që përmban një sasi planesh filmike të ndërlidhura, të shoqëruara me zë ose jo, të cilat krijojnë efektin e lëvizjes, duke pasur një harmoni unikale ndërmjet formës dhe përmbajtjes.
– Autor, në kuptim të këtij ligji, është personi fizik ose personat fizikë që, në sajë të aftësive të veta krijuese, krijojnë një vepër artistike, kinematografike. Autorët e përfshirë, kriteret e vlerësimit të autorëve dhe të elementeve estetike përcaktohen në ligjin “Për të drejtën e autorit”.
– Kopje e filmit është një objekt material, në të cilin prodhimi ka marrë një formë të fiksuar me njërën prej teknikave të njohura dhe që producenti e ka materializuar për herë të parë.
– Shfaqje publike është projektimi i kopjeve në të gjitha teknikat e mundshme nëpërmjet aparaturave në çfarëdo vendi, para një grupi njerëzish të pranishëm, jo në mjedis familjar.
– Distribucioni (shpërndarja) është shitja, blerja, këmbimi, dhurimi dhe qiramarrja e kopjes se filmit, brenda dhe jashte vendit.
– Producent i një vepre filmike është një person ose grup personash fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, që organizon e mbështet ekonomikisht dhe merr përgjegjësinë për realizimin e veprës filmike me ose pa fond buxhetor. Ai gëzon të drejtën e shfrytëzimit ekonomik mbi veprën filmike të realizuar. Këtu përjashtohen personat juridikë publikë, të cilët nuk ndjekin qëllim fitimprurës.
– Distributor është personi fizik ose juridik apo një grup personash fizikë a juridikë, apo një ndërthurje e tyre, vendas ose të huaj, që realizon, për qëllime përfitimi ekonomik, tregtimin ose shpërndarjen e veprës filmike.
– Film shqiptar quhet vepra e realizuar nga një producent ose në bashkëprodhim me një a më shumë producentë të tjerë vendas a të huaj, kur:
a) kopja e kontrollit të jetë në gjuhën shqipe;
b) kontributi financiar në realizimin e filmit nga persona fizikë e juridikë shqiptarë është mbi 51 për qind.
– Bashkëprodhim quhet realizimi i një vepre filmike nga dy a më shumë persona fizikë e juridikë vendas ose të huaj, sipas kontratës së lidhur ndërmjet tyre, të cilët janë bashkëpronarë mbi veprën në raport me përqindjen e kontributit financiar të dhënë për realizimin e saj.
– Shtëpi kinematografike, janë producentët që kryejnë veprimtari në fushën e prodhimit kinematografik, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Shtëpitë kinematografike veprojnë si persona juridikë dhe janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK).- Shërbim quhet vënia në dispozicion të specialistëve në fushën e kinematografisë, të hapësirave, teknikës, mjeteve prodhuese për realizimin e veprës.
– Sallë quhet një mjedis publik i mbyllur ose i hapur, me një ose disa ekrane.
– Fond buxhetor quhet financimi për krijimin, realizimin dhe shpërndarjen e veprës filmike, për mbrojtjen e kineastëve dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
– Financim i jashtëm quhet çdo lloj financimi në formë krediti bankar, donacioni, sponsorizimi, bashkëprodhimi, që i bëhet një projekti filmik të QKK, jashtë fondeve buxhetore.

Neni 3

Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) vepron si person juridik, publik, me statusin e institucionit qendror, në varësi të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për bashkërendimin e punës, mbështetjen financiare, nxitjen e veprimtarisë kinematografike në Republikën e Shqipërisë dhe për përfaqësimin e kinematografisë shqiptare në botë.
Statuti i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë miratohet nga Këshilli i Ministrave me propozimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Rregullorja e funksionimit të QKK-së miratohet nga Kryetari i kësaj Qendre.

Neni 4
Detyrat kryesore të QKK

QKK ka këto detyra kryesore:
1. Përcakton shpërndarjen e fondit buxhetor për gjinitë e filmit (artistik, dokumentar e të animuar).
2. Shpërndan fondin për projektet që përmbushin kërkesat e rregullores për prodhimin dhe shpërndarjen e filmit dhe që kanë vlera cilësore dhe interes kulturor kombëtar, gjithashtu raporton për realizimin e projekteve dhe fondeve të miratuara.
3. Miraton projektet për realizimin e veprave filmike të një producenti shqiptar, të producentëve shqiptarë a të huaj, kur jepen fonde nga QKK.
4. Përcakton fondet për festivale e javë filmi kombëtar e ndërkombëtar.
5. Propozon ndryshime dhe përmirësime në ligje, vendime, urdhra e urdhëresa të fushës dhe, veçanërisht, për masat organizative, teknike, ligjore dhe financiare, për një funksionim më të mirë të sistemit ligjor kombëtar të filmit, të cilat, pasi shqyrtohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, paraqiten për miratim në Këshillin e Ministrave nëpërmjet Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
6. Organizon dhe mbështet financiarisht kualifikimin, specializimin dhe përgatitjen e kineastëve të rinj, si dhe botimet e ndryshme të veprimtarisë kinematografike.
7. Regjistron të gjithë personat fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari në fushën e prodhimit dhe të shpërndarjes së filmave, sipas procedurave të përcaktuara në rregullore, si dhe pajis me certifikatë për ushtrimin e këtyre veprimtarive të gjithë aplikantët, që plotësojnë kushtet e nevojshme, të përcaktuara në rregullore”.
8. Regjistron të gjithë personat fizikë e juridikë që zotërojnë sallat a mjedise të tjera për shfaqjen e veprave filmike, sipas rregullores së shpërndarjes dhe shfaqjes së veprave filmike në territorin e Republikës së Shqipërisë.
9. Regjistron filmat e realizuar ose të importuar që do të shfaqen në territorin e Shqipërisë.
10. Kontrollon zbatimin e standardeve teknike të aparaturave që funksionojnë në Shqipëri për prodhimin dhe shpërndarjen e veprave filmike.
11. Organizon kualifikimin, specializimin dhe përgatitjen e kineastëve të rinj.
12. Informon producentët për mundësitë e saj financiare, për ndryshimet në këshillat e saj miratues, për ndryshimet e akteve ligjore e nënligjore dhe për pjesëmarrjen në festivale e javë të filmit kombëtar e ndërkombëtar.
13. Shqyrton, nga ana artistike, projektet e paraqitura nga relatorët e caktuar në këshillin e projekteve.
14. Analizon dokumentacionin tekniko-ekonomik të projekteve të paraqitura, duke zbatuar normativat e miratuara prej saj.
15. Mbështet financiarisht, me një fond të veçantë buxhetor, projektet e shpërndarjes së veprave filmike shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.

Neni 5

Fondi i QKK është publik, me zë më vete në buxhetin e shtetit dhe pjesa e mbetur në fund të vitit mbartet në vitin pasardhës.
Përdorimi i fondit buxhetor për financimin e prodhimit të veprës filmike përjashton procedurat e ligjit “Për prokurimin publik” dhe zbaton dispozitat e këtij ligji dhe të akteve në zbatim të tij.

Neni 6

Të ardhurat e QKK përbëhen nga:
1. Fondi i përcaktuar në buxhetin e shtetit.
2. Të ardhurat që do të krijohen nga qarkullimi dhe shitja e veprave filmike, krijuar me fonde buxhetore ose pjesërisht buxhetore.
3. Një pjesë e të ardhurave nga shitja e veprave kinematografike të prodhuara deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji.
4. Nga të ardhurat e biletave të sallave të shfaqjes.
5. Të ardhurat nga sponsorë e donatorë.
Të ardhurat e llogaritura në përqindje për pikat 2, 3 e 4 caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

ORGANET DREJTUESE TË QKK

Kryetari
Neni 7

Kryetari i QKK emërohet nga Këshilli i Ministrave ndërmjet dy kandidaturave të propozuara nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për një periudhë 4-vjeçare. Ai mund të shkarkohet me arsye të motivuara po nga organi që e emëron.
Kryetari i QKK miraton strukturën organizative dhe projektet e paraqitura nga këshillat miratuese të projekteve.

Neni 8

Këshillat miratues të projekteve propozohen dhe zgjidhen nga shoqatat e kineastëve.
Këshillat miratues të projekteve drejtohen nga kryetarët e tyre, të cilët zgjidhen prej këshillave përkatës.
Këshillat miratues të projekteve janë organizma të përkohshëm dhe jofunksionalë.
Këshillat miratues të projekteve kanë afat 2-vjeçar.
Këshilli miratues i projekteve për veprimtarinë kinematografike përbëhet nga 5-7 persona.
Mënyra e funksionimit të këtyre këshillave përcaktohet në rregulloren e brendshme të QKK-së.

Neni 9
Këshillat miratuese të projekteve

Këshillat miratuese të projekteve, në të tria gjinitë e filmit (artistik, dokumentar dhe të animuar), vlerësojnë dhe përzgjedhin projektet nga pikëpamja artistike e ekonomike dhe projektet fituese ia paraqesin kryetarit për miratim.
Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë ka të drejtë të rikthejë vendimin e këshillit miratues të projekteve për përzgjedhjen e një projekti, duke dhënë bashkëlidhur arsyet përkatëse. Në rast se projekti rivlerësohet dhe vendimi rimiratohet nga këshilli, ai hyn në fuqi menjëherë.

Neni 10
Komisioni i vizionimit

Komisioni i vizionimit caktohet nga kryetari i QKK. Ai pajis me leje për qarkullim veprat filmike të krijuara brenda territorit të Shqipërisë ose të importuara nga jashtë. Kryetari i Komisionit të Vizionimit zgjidhet nga komisioni përkatës. Komisioni i Vizionimit është organizëm jofunksionar, me afat të përcaktuar.

Neni 11

Komisioni i Vizionimit i QKK pajis me leje për qarkullim distributorët sipas kategorive të mëposhtme:
1. Kategoria A – kur filmi lejohet për të gjitha moshat.
2. Kategoria B – kur filmi lejohet për të gjithë shtetasit mbi 14 vjeç.
3. Kategoria C – kur filmi lejohet për të gjithë shtetasit mbi 18 vjeç.
Komisioni i vizionimit i QKK, kur vepra filmike e paraqitur nuk është në pajtim me ligjet kushtetuese, nuk i pajis distributorët me leje qarkullimi të filmit.
Kur distributori nuk është dakort me vendimin e komisionit të vizionimit, ai i drejtohet për ankim gjykatës.

Neni 12
Komisioni financiar

Komisioni financiar caktohet nga kryetari i QKK. Ky komision vlerëson projektet e paraqitura nga pikëpamja financiare dhe mbikëqyr realizimin e fondit buxhetor në projektet e miratuara. Kryetari i komisionit financiar zgjidhet nga ky komision.

Neni 13

Përbërja dhe funksionimi i këshillave miratuese të projekteve e komisionit të vizionimit dhe e komisionit financiar përcaktohen në rregulloren e QKK.

Neni 14
Producenti

Kontrata e prodhuesit me autorët e veprës filmike, me anë të së cilës këta të fundit i kalojnë prodhuesit të drejtën e shfrytëzimit ekonomik të veprës, përbën kusht për përfitimin e financimit të prodhimit të veprës përkatëse me fondet buxhetore të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Prodhuesi detyrohet ta fillojë dhe ta përfundojë prodhimin e veprës filmike, të financuar me ose pa fondin buxhetor të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në afatin e deklaruar.
Dy paragrafët e mësipërm zbatohen edhe për shtëpitë kinematografike.

Neni 15

Çdo producent apo grup producentësh, që plotëson kushtet e këtij ligji, paraqet kërkesën për fond buxhetor për realizimin e projektit. Vetëm atij i njihet e drejta e tërheqjes së fondit, pas lidhjes së kontratës.

Neni 16

Çdo producent a grup producentësh, që ka marrë fond buxhetor në përfundimin e realizimit të veprës, është i detyruar të paraqesë në QKK një raport të hollësishëm për gjithë veprimtarinë e zhvilluar dhe përdorimin e fondit buxhetor.
Kjo shërben si bazë për përparësinë që mund t’i jepet producentit në marrjen e fondit buxhetor për realizimin e projekteve të ardhshme.
Distributori është i detyruar që të deklarojë në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë të ardhurat, që përfitohen nga tregtimi ose shpërndarja e veprës filmike, të prodhuar me fondin buxhetor të kësaj qendre, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj. Kjo dispozitë është e vlefshme edhe për shtëpitë kinematografike.
Deklarimi i të ardhurave gjatë vitit të parë të shfrytëzimit bëhet çdo tre muaj, gjatë tre viteve pasardhëse deklarimi bëhet çdo gjashtë muaj, ndërsa për pjesën e mbetur deri në fund të 10 viteve, deklarimi bëhet çdo vit.”.

Neni 17

Për marrjen e fondit buxhetor nga QKK kanë përparësi producentët që kanë siguruar vetë një pjesë të financimit të veprës ose nga bashkëprodhuesit vendas a të huaj, sponsorizuesit, fondacionet, donatorët dhe kreditë bankare.

Neni 18

Producenti, për realizimin e projektit të miratuar me fond tërësisht buxhetor, punëson realizues, që janë anëtarë të shoqatave të kineastëve.

Neni 19

Producentët që kanë marrë fonde nga QKK, krahas veprimtarisë së tyre, kanë të drejtë të ushtrojnë edhe veprimtari të tjera të karakterit audiovizual.

Neni 20
Distributori

Distributori duhet të jetë i regjistruar në QKK.

Neni 21

Çdo distributor nuk mund të qarkullojë filmin pa lejen përkatëse të dhënë nga komisioni i vizionimit.

Neni 22

Distributori, për filmat e importuar, është i detyruar të qarkullojë filmin të dubluar ose subtitruar në gjuhën shqipe.

Neni 23

Vepra filmike, e prodhuar me fondin buxhetor të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, tregtohet ose shpërndahet nga distributori apo nga shtëpia kinematografike, duke respektuar kërkesat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi.
Administrimi i prodhimit kinematografik të Kinostudios “Shqipëria e re” deri në vitin 1990 kalon nga Albafilm Studio te Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Neni 24
Studio Albafilm

Studio Albafilm dhe Studio Albafilm Animacion do të quhen Albafilm dhe në zbatim të këtij ligji Albafilmi është një shoqëri aksionere, ku shteti ruan 100 për qind të aksioneve.
Shoqëria e re Aksionere Albafilm regjistrohet në gjykatë brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Ngarkohet Këshilli i Ministrave për zbatimin e këtij neni.

Neni 27

Studio Albafilm Animacioni hyn në marrëdhënie kontraktuese prodhimi e shërbimi me producentë që kanë përfituar financim nga QKK, me producentë të tjerë vendas e të huaj, me stacione televizive e me persona të tjerë fizikë e juridikë, vendas e të huaj.

Neni 28
Arkivi Qendror e Shtetëror i Filmit (AQSHF)

Arkivi Qendror e Shtetëror i Filmit është institucion buxhetor në vartësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me statusin e objektit të rëndësisë së veçantë.

Neni 29

Detyra e AQSHF është ruajtja, përpunimi shkencor, pasurimi me materiale të reja dhe shfrytëzimi i materialeve arkivore filmike për krijime të veprave të reja kinematografike e televizive dhe veprave studimore, duke respektuar të drejtat morale dhe ekonomike të autorit.

Neni 30

AQSHF është anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit (FIAF) dhe u nënshtrohet të drejtave dhe detyrimeve që lindin nga ky anëtarësim. Me miratim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shkëmben materiale arkivore për zgjerimin e pasurimin e inventarit të tij me homologë shtetërorë e privatë brenda e jashtë vendit, në kushte reciprociteti.

Neni 31

Shpërndarja e të ardhurave që krijohen si rezultat i veprimtarisë në marrëdhënie me të tretët rregullohet me akte nënligjore.

Neni 32

Marrëdhëniet me producentët e kineastët vendas e të huaj si dhe me televizionin, AQSHF i rregullon në bazë të statutit të tij të miratuar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Neni 33
Shoqatat e kineastëve

Shoqatat e kineastëve krijohen me vullnetin e lirë të anëtarëve të tyre krijues e realizues dhe mbrojnë interesat artistike dhe ekonomike të këtyre anëtarëve.

Neni 34
Marrëdhëniet me aktorët

1. Producentët për realizimin e filmave hyjnë në marrëdhënie kontraktore me aktorë profesionistë e amatorë.
2. Producentët që marrin fond buxhetor mund të hyjnë në marrëdhënie kontraktore dhe me aktorë të huaj.

Neni 35
Marrëdhëniet me televizionin shtetëror publik dhe privat

1. Televizionet shtetërore, publike dhe private janë të detyruara të shfaqin për publikun, në marrëveshje me producentët a distributorët, veprat filmike të prodhuara me fond shtetëror jo më parë se një vit nga data e prodhimit të filmit (data e premierës së veprës).
2. Televizionet shtetërore, publike e private hyjnë në marrëdhënie prodhimi, bashkëprodhimi dhe tregtimi me producentë që kanë marrë ose jo fond buxhetor.

Neni 36
Marrëdhëniet me kinematë

Të gjithë personat fizikë a juridikë, vendas a të huaj, që ushtrojnë veprimtari në sallat e shfaqjeve publike (kinema) në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të shfaqin jo më pak se 5 ditë radhazi premierat e veprave të realizuara me ose pa fond buxhetor nga producentët shqiptarë ose në bashkëpunim me persona të tjerë fizikë e juridikë, vendas a të huaj.

Neni 37

Në zbatim të këtij ligji, kinemave shtetërore të privatizuara apo të dhëna me qira personave fizikë e juridikë, vendas a të huaj, u ndalohet të ndryshojnë destinacionin.

Neni 38

Të gjitha subjektet publike janë të detyruara, në zbatim të këtij ligji, të lejojnë producentët për realizimin e veprave filmike në mjediset e kërkuara prej tyre, në bazë të marrëveshjes që do të lidhin.
Në rastet e objekteve të rëndësisë së veçantë, producenti pajiset me autorizimin e organit kompetent.

Neni 39

Për nxitjen e prodhimit, bashkëprodhimit dhe shërbimit të veprave filmike trajtimi nga ana fiskale do të jetë i njëjtë si për Radiotelevizionin Shqiptar.

Neni 40

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore përkatëse.

Neni 41

Çdo akt ligjor e nënligjor që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohet.

Neni 42

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.