Ndahet nga jeta aktori i madh i skenës shqiptare, Mirush Kabashi

Me keqardhje mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të mjeshtrit të madh të skenës, z. Mirush Kabashi.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë i shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet familjarëve dhe miqve të të ndjerit.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër. Ai u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë më 1970 dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artsitike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e ne vijim në Teatrin Kombetar.

Nga viti 1985, me periudha te ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.

Mirush Kabashi është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.


Filmografia

Kronikë provinciale (2009)
Ne dhe Lenini (2008)
Nata (1998)
Edhe ashtu edhe kështu (1989)
Binarët (film) (1987)
Telefoni i një mëngjesi (1987)
Zëvendësi i grave (1987)
Nxënsit e klasës sime (1984)
Kohë e largët (1983)
Dora e ngrohtë (1983)
Shoqja nga fshati (1980)
Një ndodhi në port (1980)
Gezhoja e Vjeter (1980)
Radiostacioni (1979)
Koncert në vitin 1936 (1978)
Zani partizani (1976) (TV)
Emblema e dikurshme (1976)

Ftesë për pjesëmarrje në sesionin informues mbi thirrjet e reja të shtyllës së medias në kuadër të programit «Ce DESK në Shqipëri»

Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet një granti të bashkëfinancuar nga Agjencia Ekzekutive Evropiane e Arsimit dhe Kulturës, organizon dhe ju fton në:

Sesionin Informues mbi Thirrjet e Reja të Shtyllës së Medias

Në kuadër të programit «Ce DESK në Shqipëri»

Më datë, 22 Nëntor 2023, ora 10:00 – 12:00

Salla «Kostandin Shpataraku», Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë


Ky sesion synon të informojë grupet e interesit të interesuara për të aplikuar në thirrjet e reja të Shtyllës së Medias, në kuadër të Programit Evropa Krijuese (Creative Europe) 2021-2027.

Sesioni do të jetë një mundësi e mirë për të krijuar mundësi të reja për rrjetëzime mes aktorëve të sektorit të medias, mundësinë për projekte dhe bashkëpunime në nivel kombëtar, rajonal dhe evropian.

Ky sesion do të jetë i dedikuar për profesionistët e sektorit të medias, filmit dhe audiovizuale.

Për arsye logjistike të organizimit lutem plotësoni formularin e regjistrimit https://forms.gle/8UXd5j2LrYB1CVXH7

Konfirmimi i pjesëmarrjes duhet të bëhet brenda datës 21 Nëntor 2023, ora 14:00.

Për të marrë informacione të reja lidhur me thirrjet e reja të Programit Evropa Krijuese, lutem vizitoni kanalet e komunikimit të medias sociale të CREATIVE DESK ALBANIA.

Jeni të mirëpritur!


Agenda

Fillojnë xhirimet e filmit «Gruaja e Shtëpisë»

Kanë filluar xhirimet e filmit «Gruaja e Shtëpisë», me regji dhe skenar nga Fatos Berisha.

Ky film prodhohet nga shtëpia filmike B2, ndërkaq producent është Liridon Cahani.

Bashkëprodhues i filmit nga Shqiperia është shtepia filmike Artalb Productions, me producent Gentian Koci.

Ky projekt është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombetare Kinematografike e Shqipërisë.

Xhirimet do të zgjasin 30 ditë dhe xhirimi do te jetë i ndarë ne dy faza.


SEE Cinema Network Awards 2023

Gjatë takimit të rradhës së Asamblesë së Përgjithshme të South-Eastern European (SEE) Cinema Network mbajtur më 8 Nëntor, 2023 në Selanik, në praninë e përfaqësuesve nga Greqia, Qipro, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, fituan të drejtën për financim 7 projekte filmike me metrazh të gjatë. Secili project filmik përfitoi fondin prej 9.000 Euro.

Fituesit u shpallën gjatë Thessaloniki International Film Festival (Edicioni 64-t), Agora Awards.


Projektet filmike, të cilët fituan të drejtën e finacimit për zhvillim janë:

[Bullgaria]
RESONANCE
Regjia: Yordan Petkov
Shtëpia kinematogafike: PORTOKAL, GARTI FILMS

[Greqia]
MY SOUL STARTLED
Regjia: Syllas Tzoumerkas
Shtëpia kinematogafike: HOMEMADE FILMS SMPC

[Maqedonia e Veriut]
SPRING CLEANING
Regjia: Marija Apcevska
Shtëpia kinematogafike: DFPM KINO OKO d.o.o.e.l

[Mali i Zi]
FOUR FUNERALS AND A WEDDING
Regjia: Nikola Mijovic
Shtëpia kinematogafike: PARANGAL FILM

[Qipro]
MY NAME IS LILY
Regjia: Yianna Americanou
Shtëpia kinematogafike: MERAKI FILMS

[Rumania]
DON’T LET ME DIE
Regjia: Andrei Epure
Shtëpia kinematogafike: SAGA FILM

[Shqipëria]
THE CONSEQUENCES OF FREEDOM (Pasojat e Lirisë)
Regjia: Lorin Terezi
Shtëpia kinematogafike: TUNNELFILM

Ndahet nga jeta, regjisori, skenaristi dhe producenti Vladimir Prifti

Lindi në Tiranë, me 1 Qershor 1942.

U diplomua në shkollën e lartë për aktorë, «Aleksandër Moisiu».

Më pas u emërua aktor në Teatrin Popullor. Luajti disa role dytësore atje. Spikati me Kogon te drama «Fytyra e dytë» e Dritëro Agollit (1968).

Pas disa përvojave si asistent regjisor në këtë teater, në vitin 1974 filloi punë si regjisor pranë TVSH-së. Prej këtej e ka zanafillën edhe pasioni i tij për filmin. E nisi në menyrë premtuese me dramatizimin e romanit të Ismail Kadaresë, «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» (1976), duke e shndërruar shfaqjen teatrore në gjuhën e veçantë të filmit televiziv. Vijoi mandej edhe me filmin «Kur hidheshin themelet» (1978), sipas dramës së KoIë Jakovës, «Lulet e Shegës».

U nderua me çmimin e veçantë në Festivalin III të Filmit Artistik Shqiptar, dhe me çmimin e Republikes të klasit të parë me filmin e tij artistik «Udha e shkronjave» (1978). Ky film mbetet edhe sot e kësaj dite ndër kulmet e tij, duke qënë një film i frymezuar, i kahut psikologjik, me nënshtresa e tonime të thukëta dramatike, mesazhe të fuqishme, karaktere të realizuara, tension e suspansë. Shtysa është marre nga tregimi «Buka dhe thika» i Dhimistër S. Shuteriqit. Ndërsa fabula e një rrugëtimi të Dhaskal Todrit me gërmat e shqipes mbi kuaj, vrasja e tij, si dhe ai pak dialog i tregimit kane pësuar transformime e pasurime, në sajë të imazhit të pasur filmik që ështe përftuar gjatë realizimit.

Në filmin «Era e ngrohtë e thellësive» (1982), pavarësisht zbukurimit që i bëhet jetës në minierë, i kushton vëmendje marrëdhënieve njerëzore dhe nevojës per besim, dashuri, dinjitet. FiImi i tij i parë i prodhuar në kinostudion «Shqipëria e re» ishte «Kush vdes në këmbë» (1985). Në këtë film vijon të konsolidojë stilin e tij me theks dramatik e tragjik, për dimensionin social të faktit, ashpërsine e veprimit duke vënë në qendër figurën vetëmohuese te Petro Nini Luarasit, raportet e tij me kishën, administratën turke, armiqtë e gjuhës dhe të mëkëmbjes kombëtare, etj.

Në filmin «Dhe vjen një ditë» ai veçon tashmë planet psikologjike, fshehur pas një dialogu në dukje të zakonshëm, që gërshetohet me episode të ndjera të njerëzve të thjeshtë në fshat, ku fillon edhe kuptimi i të vertetes prej individit të tjetërsuar nga tundimi për pozitë, privilegje e karrierë. Me ketë film kinematografia shqiptare u prezantua për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Venecias (1987).

Më tej do të realizonte filmin e arrirë «Flutura në kabinën time» (1988), fitues i çmimit të dytë në Festivalin VIII të Filmit Artistik. Regjisori paraqet me një realizëm të thellë aftësinë e njeriut për t’u prirur drejt së mirës, virtytit e fisnikërisë, pavarësisht rrethanave të pavaforshme të jetës.

Realizuar me shumë mjeshtëri është edhe filmi «Dasma e Sakos» (1998), fitues i disa çmimeve. Falë një subjekti të pasur me ide, karaktere dhe ngjarje, regjisori është kujdesur per të krijuar metaforën e shterpësisë së burrit, njeriut ambicioz e hakmarrës dhe të vetë raporteve të prapambetura të pronësisë perballë fisnikërisë, dashurisë dhe bukurisë njerëzore. Në një realitet në dukje të mbytur nga Iuksi dhe pasuria, por në fakt të vobektë shpirtërisht dhe armiqësor, spikat aftësia e regjisorit për të realizuar aktrime me vërtetësi, plot tension e dramacitet, sikunder aftësia e tij për të krijuar sinteza historike nëpërmjet imazhesh domethënëse.

V. Prifti ka realizuar edhe mjaft dokumentarë në vitet 2000-2004, ndër to mund të përmenden: «Të bekuarit», «Legjenda e baltës», «Rruga Egnatia», «Butrinti». Ky i fundit ka edhe elementet e filmit artistik, pasi ndërtohet mbi një fabul dhe personazhe të trilluara. FiImi fitoi një çmim të veçantë në Festivalin e X-të Ndërkombëtar të Filmit Arkeologjik, në Kiel të Gjermanisë.

Vladimir Priftit i është dhënë titulli «Artist i merituar».


Filmografia

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976); skenari Piro Mani dhe Qenan Toro
“Udha e shkronjave” (1978); skenari Peçi Dado, Vladimir Prifti
“Kur hidheshin themelet” (1978); skenari Kolë Jakova
“Era e ngrohtë e thellësive” (1982); skenari Naum Prifti
“Kush vdes në këmbë” (1985); skenari Naum Prifti, Vladimir Prifti
“Dhe vjen një ditë” (1987) skenari Teodor Laço, Vladimir Prifti
“Flutura në kabinën time” (1988) Skenari Teodor Laço, Vladimir Prifti
“Dasma e Sakos” (1998); skenari Vath Koreshi.
“Të bekuarit” dokumentar (2000);
“Butrinti” dokumentar (2002);
“Legjenda e Baltës” dokumentar (2003);
Skedë nga një qytetërim i hershëm, dokumentar 2003
“Rruga Egnatia” (2005)
“Skënderbeu” dokumentar 2012
Keno, regjia Ergys Peqini, Eurofilm, 2015
Ardhur nga ëndrrat, regjia Klajd Papadhimitri, Eurofilm, 2017
Rrëfimi i një vrasësi me pagesë, regjia Klajd Papadhimitri, Eurofilm, 2019

Nisën xhirimet e filmit me metrazh të shkurtër “I huaji”

Me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, nisën xhirimet e filmit me metrazh të shkurtër “I huaji”, regjia Ornela Karaj, prodhim i shtëpisë kinematografike “Papadhimitri Film Production”, producent Dionis Papadhimitri.