«Yjet e së ardhmes» fiton çmimin «Filmi më i Mirë Ndërkombëtar» në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit «Castelli Romani 2024» (CRoFFI). Ky film u financua nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit «Castelli Romani» (CRoFFI), një festival me një prani të lartë yjesh të kinematografisë italiane dhe ndërkombëtare, zhvilloi Edicionin e tij të Tetë në datat 4-11 Tetor 2024 në Ariçia (Romë). Konkurimi u zhvillua në kategoritë e Filmit të Shkurtër dhe Filmit me Metrazh të Gjatë, ku u përfshinë 54 Filma të Shkurtër, nga mbi 15 vende të botës dhe 11 Filma me Metrazh të gjatë, nga Shqipëria, Italia, Bullgaria, Gjermania dhe Franca.
Oferta filmike u ndoq nga publiku në Grottaferrata – Cinema Alfellini, Frascati – Cinema, pallati Chigi – Ariçia dhe online në CROFFI TV.
Konkurimin në këto kategori e ndoqi Juria Qendrore, e përbërë nga: Mimmo Calopresti – president (regjisor, skenarist dhe aktor), Janet De Nardis – regjisore dhe skenariste, Stefano Masciarelli – aktor, Stefano Reali – regjisor, Stefania Casini – regjisore, aktore, Blas Roca Rey – aktor, Josephine Alessio – gazetare (Rai News 24), Massimo Spano – regjisor dhe producent, Morena Gentile – aktore dhe producente, Alessandro Pondi – regjisor dhe Teresa Razzauti – regjisore kastingu dhe Juria e Medias, e përbërë nga: Elisabeth Missland, Dundar Kesapli, Luciano Sciubra, Sergio Fabi, Flavia Arcangeli, Alba Kepi, Ettore Giuffrida,l Vera Naydenova, Paola Medori dhe Marta Coco.
Në konkurimin e Filmit të Shkurtër u ndanë 22 çmime, tetë prej të cilëve çmime për aktorët protagonistë dhe joprotagonistë, çmimet «Filmi më i Mirë», «Fotografia më e Mirë» dhe «Regjia më e Mirë», disa çmime karriere si edhe çmimet e Kritikës, Medias dhe Publikut. Në konkurimin e Filmit me Metrazh të Gjatë u ndanë 23 çmime, tre prej të cilëve çmime karriere për aktorët protagonistë, joprotagonistë dhe ndërkombëtarë, çmimet “Filmi më i Mirë”, “Filmi më i Mirë Ndërkombëtar” dhe “Regjia më e Mirë” si edhe çmimet e Kritikës, Medias, Publikut dhe rrjeteve sociale.
Filmi «Yjet e së ardhmes» (Skenarist – Uli Bree, Regjisor dhe producent – Edmond Topi, – Drejtor fotografie – Leonard Qendro, Konsulent Artistik – Mirela Oktrova, Kompozitor – Saimir Çili, Montazhi: Eliodor Markja, Grimi dhe kostumet – Bebeka Alla, Interpretues – Tinka Kurti (Nderi i Kombit), Reshat Arbana (Nderi i Kombit), Margarita Xhepa (Nderi i Kombit), Luftar Paja (Mjeshtër i Madh), Gazmend Paja, Elia Zaharia, Ema Andrea, Sadush Ylli, Karafil Shena, Bajram Dosti, Igli Zarka, Jorida Meta) ia doli të rrëmbente zemrat e publikut dhe të tërhiqte vëmendjen e jurisë, e cila e vlerësoi si «Filmi më i Mirë Ndërkombëtar».
Publiku roman dhe jo vetëm u entuziasmua dhe emocionua nga historia e bandës së të moshuarve “të rinj”, «Robi dhe Trinitrina» dhe vullneti i tyre për ta jetuar jetën deri në fund dhe me të gjithë fuqinë…, pavarësisht të papriturave të jetës… interpretuar me mjeshtëri nga Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa dhe Luftar Paja. Bashkudhëtari dhe nxitësi i tyre, Robi (Gazmend Paja) është një artist ende i “pashpërthyer”. Prej vitesh bën muzikë por ende nuk është i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse, me formacionin e tij muzikor arrin të fitojë konkursin kombëtar «Yjet e së ardhmes». Por sherrosja në një lokal e shpie në gjyq, ku i kanoset burgu… Kur gjykata ia konverton dënimin me punë në dobi të komunitetit, ai përfundon në një shtëpi të moshuarish, ku ka shefe fqinjën (Elia Zaharia), të cilën e “torturon” përnatë me muzikën tij. Temperamenti prej artisti e miqëson shpejt me të moshuarit, të cilëve u rizgjon dëshirën për të jetuar dhe e afron me vajzën, e cila e njeh nga një plan tjetër. Po puna është me orë të zgjatura, ndaj formacioni i tij e zëvendëson… Tentativa për të bërë një kor me të moshuarit, shihet si shkelje nga drejtoresha (Ema Andrea), e cila e largon nga puna dhe njofton gjykatën. Pa formacion dhe me një këmbë në burg, duket se ëndrra u gropos përfundimisht, derisa “miqtë” e moshuar e ftojnë të krijojë një formacion me ta. Sado e çmendur, ideja funksionon: ata ushtrohen rregullisht fshehurazi drejtoreshës që mbikqyr të moshuarit dhe policisë që kërkon artistin. Edhe “zbulimi” dhe më pas përplasja me drejtoreshën, jo vetëm që nuk i paralizon, por i bën të moshuarit „heronj“, të publikut dhe të të rinjve…, pavarësisht moshës dhe të papriturave, që ajo “ruan” për ta…
Festivali Ndërkombëtar i Filmit «Castelli Romani» (CRoFFI) – është një ngjarje e rëndësishme kinematografike, me fokus kryesor te produksionet e pavarura. Duke e konsideruar kinemanë si një mjet i rëndësishëm promovimi për rajonin Castelli Romani, i njohur për veçoritë e tij historike, kulturore, arkitekturore dhe ofertat eno-gastronomike, organizatorët e festivalit (shoqata «Punto e Virgola 2017»), synojnë, që përmes personaliteteve të njohura të kinemasë italiane dhe ndërkombëtare, të tërheqin më shumë vëmendjen e turistëve, të cilët shpesh ndalen vetëm në Romë pa zbuluar thesaret e mrekullueshme të Castelli Romani.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit «Castelli Romani» (CRoFFI) e zhvilloi ceremoninë e ndarjes së ccmimeve të Edicionit të tij të Tetë (4-11 Tetor 2024) në mjediset e mrekullueshme të Pallatit dukal Ariçia (Romë) – një shembull unik i një rezidence baroke të konservuar në kontekstin e saj arkitekturor, urban dhe peizazhor.
Amatorët e kinemasë, e kanë të njohur pallatin, si kulisën historike të njërit prej filmave më të ndjekur të kinematografisë italiane dhe botërore, «Leopardi» («Il Gatopardo», Luchino Visconti – 1963), me të paharrueshmit: Burt Lancaster, Alain Delon dhe Claudia Cardinale.