Regjisori i ri shqiptar Renis Hyka, aktualisht në Talents Sarajevo

Renis Hyka, është regjisori i ri shqiptar që momentalisht merr pjesë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, i përzgjedhur në programin Talents Sarajevo, pjesë e CineLink Industry Days, i cili i kushtohet trajnimit të talenteve të filmit nga rajoni ynë, rritjes së tyre profesionale dhe krijimit të mundësive për bashkëpunim. Emra të njohur të filmit ofrojnë gjatë takimeve me kineastët e rinj, ekperiencën dhe perspektivën e tyre mbi kinemanë.

Regjisori Hyka është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë vitin e kaluar si pjesë e Paktit për Universitetit për filmin e tij të diplomës “Rasti i çuditshëm i Teresitës”, ndërsa në 2023-shin është miratuar për mbështetje financiare nga QKK edhe projekti i tij për film të shkurtër “Furracaku”.

Premiera botërore e filmit «Europa», e Sudabeh Mortezai, në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Sudabeh Mortezai, skenaristja dhe regjisorja e filmit «Europa», aktualisht në garë në Sarajevë, flet për idenë e filmit dhe eksperiencën e xhirimeve në Shqipëri me prestigjozen Screen International. «EUROPA» u xhirua në Poliçan dhe Berat në pranverën e 2022-shit, në bashkëpunim me ERAFILM PRODUCTIONS.

«Shqipëria ishte vendi perfekt për historinë e filmit tim, një vend i dyzuar mes të shkuarës së vet dhe përpjekjeve për të qenë pjesë e Europës. Përgjithësisht, në 6 javët e xhirimeve në Shqipëri, eksperienca ishte e mrekullueshme. Sfida më e madhe ishte përfshirja e një skene fiktive gjatë pelegrinazhit në Malin e Tomorrit. Isha e magjepsur nga vendi, kultura dhe njerëzit, veçanërisht mikpritja e tyre e sinqertë dhe e ngrohtë…»

Për artikullin e plotë ju lutemi të ndiqni linkun: https://www.screendaily.com/features/sudabeh-mortezai-on-her-sarajevo-world-premiere-europa-there-is-this-arrogant-eurocentric-view-of-the-world/5184860.article

Premiera botërore e filmit «Sirin» në edicionin e 29-të të Festivalit të Sarajevës

SIRIN – bashkëprodhimi i fundit mes Malit të Zi, Kroacisë, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Francës, pati dje premierën botërore në edicionin e 29-të të Festivalit të Sarajevës.

Filmi «Sirin» me regji nga Senad Sahmanovic dhe skenar të Claudia Bottino, u shfaq mbrëmë për herë të parë në ekranin e madh (Open air Cinema), në edicionin e 29-të të Festivalit të Sarajevës.

Sirin është prodhuar nga CUT UP, Sekvenca, On Film Production, BUKA, Dokument, APC, dhe është mbëtetur financiarisht nga Qendra Malazeze e Filmit, Qendra Kroate e Audiovizualit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Fondacioni Kinematografik i Sarajevës dhe Eurimages.


Regjisori Erenik Beqiri shënon tjetër sukses

Filmi i shkurtër «A Short Trip», i regjisorit Erenik Beqiri, është një ndër 13 filmat e përzgjedhur në «Bienalen e Venecias», seksionin Orizzonti Cortometraggi.

Ndahet nga jeta në moshën 65-vjeçare piktori Vangjel Gjikondi

Qendra Kombëtare e Kinematografisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve për humbjen e njeriut të afërm, mikut e kolegut, Vangjel Gjikondi.

Ai u lind më 1958 në Tiranë. Vangjel Gjikondi përfundoi studimet pranë Akademisë së Arteve më 1982. Në këtë periudhë ai u bë edhe i njohur nëpërmjet punimeve të tij të veçanta.

Prej vitit 1983 ka punuar si piktor pranë ish-Kinostudios «Shqipëria e Re» gjer’ në fillim të viteve ’90, kur u largua për në Greqi. Veçojmë kontributin e tij artistik në filmat me metrazh të gjatë:
• Nxënësit e klasës time (1986)
• Pranëverë e hidhur (1985)
• Duaje emrin tënd (1984)
• Treni niset në 7 pa 5 (1988)

Një pjesë e veprës së tij është pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Ai ka realizuar kryesisht portrete, peizazhe, ilustrime, ekspozita personale e kolektive brenda dhe jashtë vendit. Në Shqipëri veçohet ekspozita me 60 vepra të Historisë së Skënderbeut, nga lindja në vdekje, e çelur disa vite më parë në Muzeun Historik Kombëtar, pas një pune 10-vjeçare.

Ekspozita vetjake
2000 – Fondacioni VEVE
1999 – Fondacioni VEVE
1998 – Perieas House, Paris, Francë
1998 – Ambasada shqiptare në Paris, Francë
1991 – Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë
1985 – Pallati i Kulturës, Durrës
1985 – Pallati i Kulturës, Tiranë
1981 – Akademia e Arteve, Tiranë

Ekspozita kolektive
2000 – Fondacioni VEVE
1995 – Ekspozitë në Ljubljanë, Slloveni
1994 – Pinacoteca dell’Amministrazione Provinciale, Bari, Itali
1994 – Chiostro della Basilica di S. Maria di Collemaggio – L’Aquila
1985 – Fiton një çmim në ekspozitën kombëtare pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë
1983 – 1993 – Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë
1984 – Biennale e Alexandrisë, Egjipt
1981 – Akademia e Arteve, Tiranë
1981 – Akademia e Arteve, Prishtinë, Kosovë

Takim SUADA-AZAS-QKK

Sot në zyrat e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë u zhvillua takimi mes përfaqësuesve të SUADA, z. Elton Kallfa dhe z. Xhulio Hysesani me drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e të Ardhurave nga e Drejta e Autorit të Filmit, e Maqedonisë së Veriut, z. Kiril Gjozev. Në takim morën pjesë edhe Drejtori Ekzekutiv i QKK-së, z. Arben Lami dhe Znj, Majlinda Tafa (Marrëdhëniet me Jashtë dhe Publikun).

Takimi u zhvillua për të njohur palën maqedonse me praktikat e punës së Suada, në prag të hapjes zyrtare të AZAS në Maqedoni.