Filmi kosovar “Home” merr çmim në BAFTA

Ka ndodhur para pak minutave. Filmi kosovaro-anglez “Home” ka marrë çmimin për filmin më të mirë të shkurtër britanik.
Në skenë për ta marrë çmimin ishin Shpat Deda, Daniel Mulloy, Scott O`Donnell dhe Afolabi Kuti.
Filmi ka fituar në kategorinë Best Short, duke lënë pas filmat Consumed, Mouth of Hell, Standby dhe The Party. Është sukses i madh që filmi të triumfojë në një kategori ku konkurrenca është e fortë. Ky është një tjetër film kosovar i cili ka triumfuar në një prej garave më prestigjioze të filmit në botë, pasi vitin e kaluar ishte filmi “Shok” që u nominua për Oscar. 
Përderisa numër i madh i burrave e grave provojnë të hyjnë në Evropë, një familje angleze duket të jetë në pushime.
Historia e filmit 20 minutësh “Home” është ende më e thellë. Kësaj radhe, familja bëhet viktimë e zhvillimeve pa fajin e saj, për tu gjendur në situata njëjtë si refugjatët e vendeve të Lindjes.

Filmi është prodhim mes Kosovës e Anglisë, me regji nga Daniel Mulloy, e ku një pjesë e mirë e ekipit filmik përbëhet nga emra shqiptarë si aktorja Arta Dobroshi, Shpat Deda, Zaki Ramadani, Eroll Bilibani, Mrinë Godanci, Elmedina Morina, Sally Campbell, Davud Karbassioun, Andrés des Rochers etj.
Ky film pjesën me të madhe të xhirimeve e ka pasur në Kosovë, më përkatësisht në Janjevë dhe Graqanicë. “Home”, i cili shtjellon vuajtjet e refugjatëve është realizuar në bashkëpunim mes DokuFest, Blacksheep dhe Somesuch, me mbështetjen financiare të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, USAID dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur si dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.
Filmi erdhi këtë edicion edhe në DokuFest në Prizren. / KultPlus.com