Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ndodhet në vizitën zyrtare të saj të parë si ministre në Tiranë, ku u prit nga homologia e saj Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe delgacioni shqiptar pjese e te cilit ishte edhe Kryetari i Qendres Kombetare te Kinematografise, Z. Eduart Makri.
Në takimin që u zhvillua u diskutua për harmonizimin e aktiviteteve të kalendarit të përbashkët kulturor dhe për shtrimin e rrugës së bashkëpunimit në fushën e kulturës.
Kalendari i përbashkët kulturor do të reflektojë aktivitete të rëndësisë kulturore për të dy vendet, si iniciativë që institucionet dhe ngjarjet kulturore të realizohen suksesshëm si në Kosovë, si në Shqipëri.
Ministrja Dumoshi theksoi që është kënaqësi të vizitojë Tiranën në cilësinë e Ministres dhe se shpreson që kultura të jetë fushë ku vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtë.
Ministrja Margariti në pritjen e ngrohtë të organizuar për delegacionin nga Kosova, uroi Ministren Dumoshi dhe shprehu gatishmëri që dy ministritë të thurin plane të përbashkëta në rrafshin kulturor.
Dy fushat që Ministrja Margariti theksoi që duhen të jenë në fokus të përbashkët janë kinematografia dhe libri. Dy ministritë do të gjejnë rrugë dhe mjete për të permbushur propozimet nga dy vendet që në këto fusha të thellohet bashkëpunimi.
Kosova dhe Shqipëria kanë pasur një histori të bashkëpunimit të mirë në vitet e kaluara. Vlen të përmendet pjesëmarrja e përbashkët në Marketin e Filmit ne Berlin “Berlinale 2020” të cilin Ministrja Dumoshi e ka vizituar kete vit.