Shqipëria nënshkruan «Konventën për Bashkëprodhimet Kinematografike»

Qendra Kombëtare e Kinematografisë njofton se më datë 17 maj 2021 në Këshillin e Evropës është nënshkruar «Konventa për Bashkëprodhimet Kinematografike».

Ambasadorja shqiptare pranë Këshillit të Evropës, Znj. Albana Dautllari, nënshkroi me zv.Sekretarin e Përgjithshëm të KiE, z. Bjorn Berge, «Konventën e Këshillit të Evropës për Bashkëprodhimin Kinematografik (e rishikuar)», e cila hyn në fuqi pasi të ratifikohet nga vendi ynë.

Konventa ishte hapur për nënshkrim nga shtetet anëtare dhe shtetet e tjera palë në Konventën Kulturore Evropiane dhe për aderim nga shtetet e tjera jo-anëtare dhe Bashkimi Evropian, në Roterdam me 30 janar 2017. Vendi ynë është vendi i 35-të që ka nënshkruar Konventën.

Qëllimi i Konventës së rishikuar është të sigurojë një bazë ligjore dhe financiare për bashkëprodhimin e filmave me metrazh të gjatë që përfshijnë kompani prodhimi të krijuara në tre ose më shumë shtete palë. Konventa e rishikuar mund të përdoret gjithashtu si një bazë ligjore dypalëshe në mungesë të një traktati specifik të bashkëprodhimit midis dy palëve.

Pjesëmarrja e një ose më shumë bashkë-prodhuesve, të cilët nuk janë palë është e mundur, me kusht që kontributi i tyre i përgjithshëm të mos kalojë 30% të kostos totale të prodhimit.

Gjithashtu, vepra e bashkë prodhuar duhet të përmbushë përkufizimin e një vepre kinematografike zyrtarisht të bashkëprodhuar të paraqitur në Shtojcën II të Konventës. Kjo Konventë sjell të përditësuara dispozitat e Konventës Evropiane të 1992 për Bashkëprodhimin Kinematografik (ETS Nr. 147), konventë që është ratifikuar nga vendi ynë që më 9 shtator 2009.

Council of Europe Convention on Cinematographic Co-production (revised)