Nis sot edicioni XI i Festivalit të Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë në Pogradec

Fillon sot edicioni i XI-të i Festivalit të Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë nga data 1 – 5 shtator në Pogradec.

Ky festival financohet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe organizohet nga shtëpia kinematografike “Action Production” sh.p.k.

Edhe pse sfidat e pandemisë vazhdojnë, festivali do të sjellë pranë qytetarëve të Pogradecit, kineastëve dhe artdashësve nga vendi e rajoni rreth 40 filma: filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma të gjatë nga 10 vende të Ballkanit.

Bashkia Pogradec ka mundësuar një vend special për shfaqjen e Filmave, që siguron njëkohësisht respektimin e masave anti- Covid, por edhe mundësi për një publik më të gjerë.

Filmat do të shfaqen pa pagesë për publikun në Odeonin e sapo rikonstruktuar të Pogradecit, vetëm pak metra larg Liqenit të bukur të Ohrit, përgjatë pesë netëve, duke filluar nga ora 19:00 cdo mbrëmje.