Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të jetë pjesë e edicionit të 65-të i «Marche du Film», në Kanë, të Francës, tregu më i madh i kinematografise europiane, i cili fillon në datë 17 maj – 25 Maj, 2022 dhe do të presë profesionistë film-dashës nga gjithë bota. Rreth 120 shtete janë të përfaqësuara me stendat e tyre në Marche, mbi 12.500 të akredituar që takohen dhe ndjekin panelet e panumërta në 33 venue të ndryshme, mbi 4.000 filma dhe projekte të prezantuar gjatë Marche-së.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të promovojë prodhimet e fundit filmike të financuara nga QKK, si edhe projektet që janë në fazë përgatitore ose prodhimi. Kineastët pjesëmarrës në Market do të zhvillojnë takime me bashkëprodhues dhe distributorë. Gjatë këtyre ditëve do të zhvillohen takime me drejtues të institucioneve ballkanikë dhe evropianë të filmit.
1 – QKK do të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kinematografisë me Qendrën e Filmit Franceze (Centre Nationale de Cinema et de l’image Animée).
2 – Gjithashtu do të zhvillohet një takim i rëndësishëm midis drejtuesve të qendrave të filmit në Ballkan dhe Ministrisë së Kulturës së Italisë e cila përfaqësohet nga Z. Roberto Stabile. Ky takim do të zhvillohet në vijim të nismës për krijimin e një fondi të përbashkët ballkanik i cili do të mbështesë financiarisht projektet filmike të vendeve anëtare.
Në Marketin e Filmit do të shfaqet filmi me metrazh të shkurtër “Mbjellja e Pemëve”, skenari Ylljet Aliçka, regjia Fabio Seferi, prodhim i shtëpisë kinematografike “Makers Production shp.k” me producent Mateus Cingi.
Stenda e Shqipërisë së bashku me Kosovën është në Village International Riviera – Pavilioni Nr. 134.