Si pjesë e aktiviteteve te projektit CIRCE PLUS që po zhvillohen në Kotor Creative Hub këto ditë, Qendra Malazeze e Filmit dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë kanë nënshkruar dje një Memorandum Bashkëpunimi.
Memorandumi u nënshkrua nga drejtuesit e dy qendrave Znj. Aleksandra Bozovic dhe Z. Eduart Makri.
Objekti i Memorandumit është bashkëpunimi i Qendrës Malazeze të Filmit dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë me qëllim forcimin e aktiviteteve dhe kulturës audiovizuale për zhvillimin e audiencave të filmit në Shqipëri dhe Mal të Zi si vende fqinje, si dhe inkurajimi i bashkëprodhimeve kinematografike mes dy vendeve.
Bashkëpunimi i dy institucioneve do të realizohet nëpërmjet një programi me segmente të ndryshme, si psh: shfaqje të filmave Malazez në Shqipëri dhe atyre shqiptare në Mal të Zi, implementim i programeve trajnuese dhe edukuese, workshop-e dhe masterklasa, si dhe krijimin e më shumë mundësive të përbashkëta për autorët e të dy vendeve që dëshirojnë bashkëpunimin.