Me keqardhje mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të mjeshtrit të madh të skenës, z. Mirush Kabashi.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë i shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet familjarëve dhe miqve të të ndjerit.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër. Ai u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë më 1970 dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artsitike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e ne vijim në Teatrin Kombetar.
Nga viti 1985, me periudha te ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.
Mirush Kabashi është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.
Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Filmografia
Kronikë provinciale (2009)
Ne dhe Lenini (2008)
Nata (1998)
Edhe ashtu edhe kështu (1989)
Binarët (film) (1987)
Telefoni i një mëngjesi (1987)
Zëvendësi i grave (1987)
Nxënsit e klasës sime (1984)
Kohë e largët (1983)
Dora e ngrohtë (1983)
Shoqja nga fshati (1980)
Një ndodhi në port (1980)
Gezhoja e Vjeter (1980)
Radiostacioni (1979)
Koncert në vitin 1936 (1978)
Zani partizani (1976) (TV)
Emblema e dikurshme (1976)