Shfaqen filmat me metrazh të gjatë «Sirin» & «Lejleku» në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare në kinemanë e AFM «Marubi»

Në kuadrin e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, patëm kënaqësinë e veçantë të merrnim pjesë në Kinemanë «John & Jim» të Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, në Kinostudio, në shfaqjen e filmave artistikë me metrazh të gjatë, «Sirin», me regji të Senad Sahmanović, me producent shqiptar Dritan Huqi, si dhe «Lejleku», me regji të Isa Qosja, me producent shqiptar Florenc Papas.

Të dy filmat janë mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë si koproduksione në pakicë. Filmat u pritën me interes nga publiku. Pas shfaqjeve u mbajtën sesione pyetje/përgjigje mes shikuesve, autorëve e producenteve nga të dy vendet dhe Zj. Alexandra Bozović, Drejtore menaxhuese e Qendrës së Filmit të Malit të Zi, dhe e Kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Z. Eol Çashku.

Drejtuesit e qendrave homologe diskutuan me publikun dhe kineastët e pranishëm mbi rritjen e mbështetjes për krijimtarinë audiovizive si dhe për fillimin e përpjekjeve të përbashkëta për qarkullimin e filmave dhe produkteve audiovizuale përmes mbështetjen së distribucionit dhe difuzionit.