Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Ing. Spiro Konduri

Spiro Konduri

Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Ing. Spiro Konduri.

Një nga mjeshtrat e rrallë të tingullit dhe harmonisë muzikore , mjeshtër i zërit në film me kontribute të çmuara në zhvillimin dhe modernizimin e kollonave zanore në kinematografinë shqiptare.

Ing. Konduri, pas daljes në pension nuk reshti së kontribuari në kalimin e dijeve tek brezat e rinj të kineastëve shqiptarë.

Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve.

I lehtë i qoftë dheu i vendit të tij!

Njoftim për emërimin e Kryetarit të ri të QKK

Këshilli i Ministrave emëroi z. Eol Çashku në detyrën e Kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, nëpërmjet Vendimit me №136, datë 06.03.2024, «Për emërimin në detyrë të Kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë».

Z. Çashku vjen nga një eksperiencë e konsiderueshme produksionesh kinematografike kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe nga angazhimi në arsimin e lartë universitar, pas kthimit nga studimet e larta dhe eksperiencat kinematografike në Francë.

Përvoja profesionale 25 vjeçare e ka renditur emrin e tij në projekte franceze, belge, holandeze, izraelite e amerikane. Në cilësinë e drejtorit të produksioneve të Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, Z. Çashku ka kontribuar në edukimin e qindra profesionistëve të rinj të filmit dhe medias nga Shqipëria dhe rajoni duke organizuar produksionin e më shumë se 300 filmave studentorë me metrazh të shkurtër. Spikat gjithashtu dhe bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare si OSBE, CIES, Delegacioni i BE, si dhe struktura të filmit të Gjermanisë, Italisë, Francës, Kanadasë, Izraelit dhe SHBA-ve.

Platforma e tij për menaxhimin e QKK analizon problematikat e deritanishme, duke ofruar zgjidhje konkrete, mirëadministrim e energji të re drejtuese, vizion vetëfinancues e gjenerues të ardhurash për sektorin, ku thekson edhe bashkëpunimin me ekspertët francezë nga Centre National du Cinéma (CNC), në kuadër të reformës së nevojshme rregullatore mbi kinematografinë dhe shkëmbimit të eksperiencave.

Z. Çashku parashikon përmes platformës së tij, përfshirjen e kineastëve në ristrukturimin kapilar të sistemit kinematografik shqiptar ku kapacitetet, dijet dhe eksperiencat e akumuluara duhen bashkërenduar në funksion të interesit publik.

Besimplotë për aftësitë dhe përvojën profesionale të drejtuesit të ri të kinematografisë shqiptare, siguroj mbështetjen e plotë të MEKI dhe të qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori tepër të rëndësishëm për industrinë e ekonominë kreative, përveçse për kulturën tonë kombëtare.


Platforma e Z.Eol Çashku


Jetëshkrimi i Z.Eol Çashku

Njoftim

Qendra Kombëtare e Kinematografisë, ju vë në dijeni se Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Z. Blendi Gonxhja, nëpërmjet Urdhërit nr. 78, datë 27.02.2024, “Për ngarkimin e detyrave të Kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë”, ka ngarkuar z. Arben Lami me detyrat e Kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë deri në përfundim të procedurës së konkurimit për pozicionin e Kryetarit.

Nisin xhirimet e filmit artistik me metrazh të shkurtër «Një histori e patreguar»

Me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, më 26 Shkurt 2024 filluan xhirimet e filmit artistik me metrazh të shkurtër «Një histori e patreguar», skenari Anxhela Çikopano, regjia Sara Hoxhaj, produksion i shtëpisë kinematografike «Action Production», producente Gerta Qurku.










Takim ndërmjet QKK dhe përfaqësueses së «goEast Festival des Mittel und Osteuropäischen Films»

Përfaqësuesit e Qendrave Kinematografike të Shqipërisë dhe Kosovës së bashku me znj. Heleen Gerritsen, Head of Festival të «goEast Festival des Mittel und Osteuropäischen Films», duke biseduar rreth mundesisë së prezantimit të kinematografisë se vendeve tona në edicionin e 21 të këtij festivali, në seksionin goEast: Albania & Kosovo in Focus.

Ky festival zhvillohet në datat 24-30 Prill, 2024 në Wiesbaden, Gjermani.

https://www.filmfestival-goeast.de/

Nisën xhirimet e filmit me metrazh të shkurtër «Furacaku»

Me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, sot, më datë 20 Shkurt 2024, filluan xhirimet për filmin artistik me metrazh të shkurtër, me titull «Furacaku», skenari dhe regjia Renis Hyka, prodhim i shtëpisë kinematografike «Bunker Film+», producent Eno Milkani.