Tryeza e diskutimit «E drejta e autorit në transmetimet audio & audiovizive»

Autoriteti i Mediave Audiovizive, zhvilloi Tryezën e Diskutimit «E drejta e autorit në transmetimet audio & audiovizive», më datë 4 Mars 2020, ora 10:00, në mjediset e Hotel Rogner në Tiranë.

Respektimi i dispozitave ligjore që lidhen me zbatimin e kërkesave për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to, përbën një element thelbësor në garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun mediatik. Është një aspekt që ka gjithmonë ndjeshmëri dhe vëmendje tek grupet e interesit, ku megjithë përmirësimet ligjore apo rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit të aktorëve në treg, sërish hasen problematika të cilat kërkojnë zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme.

Të pranishëm në këtë takim ishin dhe Z. Eduart Makri, Kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Z. Arben Lami, Drejtor Ekzekutiv i QKK, dhe Znj. Shqiponja Dauti juriste e QKK.

Organizimi  i kësaj Tryeze ishte i dobishëm si një përpjekje konkrete për të krijuar hapësirë diskutimi dhe ekspertize, pasi vetëm përmes komunikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë çështjet  vlerësohen me realizëm dhe palët e interesuara do të mund të kapërcejnë mangësitë e pengesat përmes bashkëveprimit dhe koordinimit më të mirë.